Verifikimet nga Serbia për “serbët e papërshtatshëm” të Kosovës

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Ndalimi dhe intervistimi i politikanëve të caktuar serbë në vendkalimin kufitar në Merdare nga ana e organeve serbe, ka për qëllim frikësimin e kundërshtarëve politikë të Listës Serbe dhe e gjithë kjo nuk shkon në favor të bashkësisë serbe, e as vetë shtetit të Serbisë, vlerësojnë përfaqësues të serbëve të Kosovës dhe njohës të zhvillimeve politike.

Më herët, në disa raste, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, autoritetet serbe i kanë intervistuar për orë të tëra pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, por tashmë është bërë e dukshme që të njëjtën gjë po e bëjnë edhe me politikanët serbë, të cilët nuk i takojnë Listës Serbe.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Merdare janë ndaluar dhe janë intervistuar Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Boban Stankoviq, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Intervistimet kanë zgjatur për orë të tëra.

Partia e Pavarur Liberale, e cila këto ditë shënon 13-vjetorin e veprimtarisë politike në Kosovë, deri në formimin e Listës Serbe, ka qenë një nga partitë kryesore serbe. Aktualisht, në Kuvendin e Kosovës ajo përfaqësohet me një deputet, ndërkaq që në Qeveri ka dy zëvendësministra.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Slobodan Petroviq, thotë se punon në përputhje me ligjet, që puna e tij është e njohur për opinionin dhe se nuk ka se çfarë të fshehë. Rrjedhimisht, siç thotë ai, është i gatshëm që t’i përgjigjet çfarëdo ftese të institucioneve zyrtare të Serbisë. Megjithatë, intervistimi disa orësh i anëtarëve të kësaj partie, në vendkalimin kufitar në Merdare nga ana e Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA), sipas tij, qartësisht flet për presionin politik ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme