Një ish-gjyqtar i EULEX-it ka marrë guximin t’i kundërvihet misionit më të madh të Bashkimit Evropian.
Po e akuzon për korrupsion, ndërhyrje politike, presion dhe kërcënime për largim nga puna të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk u nënshtroheshin urdhrave politikë.
Madje, pretendon se të paktën në dy raste kanë pasur urdhra për të dënuar njerëz të cilët konsideroheshin problematik në raport me bisedimet e Kosovës me Serbisë.
Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve, Malcomm Simons, ka paditur drejtuesit më të lartë të EULEX-it, dhe ka hedhur shumë dyshime me prova se ky mision ka qenë gjithçka tjetër pos, mision i drejtësisë.
Mes të paditurve janë Mats Mattson, Gerrit Sprenger dhe Charles Smith. Smith, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Speciale.
Akuzon EULEX-in dhe një numër drejtuesish të këtij misioni se i kishin montuar tri raste hetimore disiplinore, për ta ndëshkuar për shkak se nuk ishte pajtuar me mënyrën se si po i qaseshin drejtësisë eprorët e tij.
Të tria këto raste ai i ka fituar.
Simons, madje pretendon se Shërbimin Sekret Polak, ia kishte thyer e-mailit private duke ia marrë materialet. Me anë të atyre e-maileve, Simonns njoftonte Qeverinë e tij në Londër, dhe ish-ambasadorin në Kosovë, Ruairi O’Connel, për të gjitha këto shkelje që po bëheshin.
Por, Simonns nuk kishte marrë përkrahje, as nga Qeveria e tij e as nga ish-ambasadori O’Connel, i cili për kohë të gjatë në Kosovë kishte reaguar vazhdimisht për raste korrupsionin që po ndodhnin në sistemin e drejtësisë së Kosovës.
Për EULEX-in, ai kishte zgjedhur të heshtte.
Në këtë padi të gjatë ai ka bashkëngjitur prova dhe fakte të ndërhyrjeve dhe shkeljeve brenda misionit për sundim të ligjit. Madje, ka rikthyer edhe rastin e prokurores britanike, Maria Bamieh, cila ishte përndjekur nga misioni për shkak të akuzave që kishte bërë për korrupsion.
Insajderi, ka siguruar kopjen e padisë të ushtruar në fillim të këtij muaji në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në Londër.
Insajderi, e ka pyetur EULEX-in se a është në dijeni të kësaj padie. Kanë thënë se janë në dijeni, por nuk i kanë komentuar akuzat.
“Ne jemi në dijeni për zhvillimin e një procedure civile në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me çështje të punësimit. EULEX-i nuk është palë e asaj procedure. Megjithatë, gjykata është duke shqyrtuar nëse EULEX-i duhet të jetë palë në atë procedurë civile. Meqë Mbretëria e Bashkuar ka një rregull për rregullimin e publikimit të çështjeve që janë nën shqyrtimin e gjykatës, ne nuk mund të komentojmë më tutje”, thuhet në një përgjigje të zyrës për media të EULEX-it.
Simons, zbulon se si edhe gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese, paguheshin dhe merrnin meditje pa punuar fare. Një gjyqtare, paguhej në Kosovë, derisa punonte në të zezë në Gjeorgji si konsulente.
Këtë rast e ka hetuar Zyra e BE-së kundër kundër mashtrimeve, OLAF, e cila ka konstatuar keqpërdorimin e parasë së taksapaguesve të BE-së.
Në këtë padi, Simons i ka kushtuar një hapësirë të madhe rastin Kleçka, në të cilin ishte i akuzuar Fatmir Limaj, dhe të tjerë dhe Grupit të Drenicës. Të dyja këto raste kishin të bënin me krime lufte.
Në rastin e parë, ai zbulon se kishin marrë urdhra politikë për ta dënuar Limajn, derisa në rastin e dytë zbulon një aferë seksuale mes dy gjyqtarëve të EULEX-it, të cilët të akuzuarve u referoheshin si kafshë.
“Në vitin 2013, para emërimit tim si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it, unë isha kryetar i trupit gjykues në një lëndë të njohur si ‘Kleçka’. Kjo ishte një lëndë e krimit të luftës me dhjetë të pandehur që përfshinin një politikan, Fatmir Limaj”, shkruan Simons në padi. “Kleçka ishte një rast i rëndësishëm për Misionin. Akuzat përfshinin tortura dhe vrasje të të burgosurve të luftës serbë dhe civilë shqiptarë. EULEX-i që ndoqi penalisht këtë rast ishte i rëndësishëm për angazhimin e vazhdueshëm të Serbisë në Dialogun Beograd-Prishtinë”, pretendon ai.
Ish-gjyqtari Simons, thotë se Kleçka ishte një lëndë e profilit të lartë në të cilën Misioni kishte investuar një sasi të konsiderueshme energjie dhe parash.
“Misioni ishte i vendosur që Fatmir Limaj të dënohej dhe, më e rëndësishmja, të hiqej nga jeta politike. Gjatë një takimi në fillim të janarit 2013 me Mats Mattson, (zëvendëshef i EULEX-it v.j.) ai më tha se Misioni e donte Limajn të dënuar dhe se kjo ishte e rëndësishme për dialogun Prishtinë-Beograd”, pretendon ai. “Misioni duhej të bindte Serbinë se ai thjesht nuk përfaqësonte interesat e shqiptarëve të Kosovës”.
Ai shpjegon se Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm nga një kolegj gjyqësor i drejtuar nga një gjyqtar britanik.
Sipas tij, gjyqtari gjeti se nuk ka se kishte prova të pamjaftueshme kundër të pandehurit (çështja mbështetej tërësisht në provat e një burri me një histori të sëmundjes mendore, provat e të cilit ishin në kundërshtim me provat mjeko-ligjore dhe dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë dhe i cili kishte vdekur para seancës gjyqësore).
Ai akuzon ish-nënkryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Gerrit Sprenger, se menjëherë kishte shprehur pakënaqësi me vendimin për lirim nga akuza të Fatmir Limajt.
Pos kësaj, ai shpjegon se rastin shkoi në Apel, derisa Sprenger, që ishte i pakënaqur me vendimin për lirim, e kishte caktuar vetën në pozitën e kryetarit të trupit gjykues.
Kësisoj, lënda ishte kryer në rigjykim.
E-mailet që dëshmojnë ndërhyrjet politike
“Rëndësia politike e këtij rasti për Misionin u nënvizua përsëri në një email që më ishte dërguar mua më 29 janar 2013 nga Kryetari i atëhershëm i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Charles Smith, në të cilin ai më kishte kërkuar që të rendisja çështjen sa më shpejt sa të jetë e mundur për, siç i përshkroi ai, ‘një numër arsyesh, shumica prej tyre politike’”, Simons.
Ish-gjyqtari Simons, tregon se pas emërimit të tij si kryetar i trupit gjykues në vitin 2013, Charles Smith e kishte njoftuar se Misionit “akoma i duhej që të përvjelë mëngët” në rezultatin e çështjes.
“Ai tha se Misioni ‘priste t’i shpallte të dënuar’, nënvizon ai në padi.
Madje, Simons pretendon se Smith, i kishte thënë se puna e tij mund të ishte në rrezik nëse të pandehurit nuk do të dënoheshin.
“I raportova këto ngjarje te Shefi i Divizionit Ekzekutiv të EULEX-it, Mats Mattson. Mats pati refuzuar të ndërmarrë ndonjë veprim. Ai gjithashtu më sugjeroi që karriera ime brenda EULEX-it dhe BE-së do të komprometohej seriozisht nëse unë e ndjek çështjen”, shton Simons.
Charles Smith, aktualisht është gjyqtar në Gjykatën Speciale, e cila pritet të gjykojë rastet e krimeve në periudhën kohore 1998 – 2000. Gjyqtari Charles L. Smith është i vetmi amerikan që është zgjedhur për të qenë njëri nga 19 gjyqtarët në Gjykatën Speciale që do të gjykojë krimet e kryera në Kosovë.
Malcomm Simons, thotë se rregullisht ishte shprehur shqetësimet zyrtarëve të lartë britanik se pavarësia gjyqësore po shkelet qëllimisht nga Misioni, nën drejtimin e dukshëm ose me miratim të Brukselit.
Procedura disiplinore për gjyqtarët e padëgjueshëm
Ai tregon se më 11 korrik 2013, bisedën me me Charles Smith, ia kishte raportuar me anë të një emaili Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Atë ia kishte drejtuar zëvendësambasadorit Joe Preston.
“Më pas u takova me Joe Preston. Unë ia bëra shumë të qartë z. Preston se kjo ishte ndërhyrje e dukshme në pavarësinë e gjyqësorit dhe një përpjekje për të ndërhyrë në rezultatin e një gjykimi penal”, shton Simons.
“Ne diskutuam se si të vazhdohet. Unë ia bëra të qartë se prisja që Mbretëria e Bashkuar të ndërhynte në emrin tim në Bruksel për të siguruar që gjyqtarët të mos ishin nën presionin e hapur politik. Ai më tha që nuk duhet të shqetësohem nga kërcënime të tilla. Ai më sugjeroi që qëndrimi im në Mision mund të ndikohej nëse do të shihesha si një ‘telashexhi’.
Simons tregon se zëvendësambasadori britanik i kishte thënë se Misioni i EULEX-it, ishte i përshtatshëm i përshtatshëm për një mision policor ose ushtarak, dhe i papërshtatshëm për një mision të sundimit të ligjit.
Simons zbulon edhe raste tjera të ndërhyrjes së Charles Smith. Ai i kishte ndërhyre edhe gjyqtares, Mariola Plasnik dhe gjyqtarit Viktor Pardal.
“Më 18 korrik 2013 Gjyqtarja Pasnik mori një email nga Charles Smith në të cilin Charles Smith u shfaq duke i dhënë udhëzime gjyqtares Pasnik se si të procedonte çështjen për një lëndë në të cilën ajo ishte kryetare e trupit gjykues”, thotë ai.
“Unë isha gjithashtu i pranishëm në datat 11 dhe 15 korrik 2013 kur gjyqtarja Pasnik pranoi një thirrje telefonike nga Charles Smith me ç ‘rast ajo vuri bisedën në altoparlant gjatë së cilës Charles Smith, u përpoq të ndërhynte në të njëjtin rast duke sugjeruar që ajo të shqiptojë një dënim me burg. Këto biseda i shënova në një email gjatë kësaj kohe të drejtuar gjyqtares Pasnik”, shkruan në padi Simons.
Ka përmendur ndërhyrjet që ishin bërë gjyqtarit tjetër Vitor Pardal. Vetë Pardal kishte treguar se si Charles Smith dhe zëvendësi i tij, Gerrit Sprenger, kishin provuar të ndërhyjnë në një nga lëndët e tij.
“Në të vërtetë, ai (Pardal v.j.) pretendonte se procedurat e mëpasshme disiplinore që u ngritën kundër tij ishin rezultat i refuzimit të tij për të ndjekur udhëzimet e tyre në atë rast të veçantë”, shkruan në padi.
Për këtë rast të mosbindjes, Simons, thotë se Charles Smith me t’u kthyer nga një udhëtim në Bruksel i kishte thënë se ishin diskutuar procedura disiplinore kundër Vitor Pardal.
“Ai (Smith v.j.) tha se i tha stafit të SHJBE (EEAS) në Bruksel se gjyqtari Pardal ‘duhej të shkonte’ dhe se ‘është puna ose ai ose unë’”, pretendon Simons.
Ish-gjyqtari britanik, tregon se ishte emëruar kryesues i komisionit disiplinor në rastin e gjyqtarit, Pardal, kur kishte marrë urdhra nga Shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, që ta ndëshkonin gjyqtarin.
Ndërhyrja e shefit të EULEX-it
“Trupi gjykues i hodhi poshtë pretendimet. Në mëngjes derisa paneli po e shqyrtonte çështjen mora një telefonatë nga shefi i Misionit EULEX, Bernd Borchardt, i cili më tha që ai kishte komunikuar me ‘Brukselin’ dhe vazhdoi të më jepte mendimin e tij për rastin dhe sugjeroi se si ne mund vazhdonim me gjetjet”, shkruan në padi.
“Unë i thashë Shefit të Misionit se kjo ishte çështje i takonte panelit (të komisionit disiplinor), dhe se udhëzimi i tij nuk ishte i duhuri. Kjo tregonte për mënyrën në të cilën procesi, i cili do të duhej të ishte i pavarur, në fakt po drejtohej nga jashtë”.
Ai thotë se për shkak se kishte hedhur poshtë pretendimet kundër gjyqtarit, Pardal, ishte vënë në thumb të Charles Smith dhe Gerrit Sprenger, të cilët sipas tij e telefononin çdo ditë në zyrë dhe ndiqnin çdo lëvizje të tij.
Këtë vëzhgim thotë se e kishte raportuar tek Catherine Fearon , asistente speciale e Shefit të Misionit të EULEX-it dhe punonjëse e deleguar nga Mbretëria e Bashkuar .
Simons tregon se pas ardhjes së ambasadorit britanik në Prishtinë, Ruairí O’Connell, e kishte takuar disa herë atë së bashku me zëvendësambasadorin, Thomas Adams.
Ai tregon se gjatë takimeve të rregullta të drejtuesve të EULEX-it, misioni vazhdimisht spikaste se suksesi varej nga numri i dënimeve. Në shumë takime shefi i EULEX-it, kishte shprehur pakënaqësi me numrin e aktgjykimeve dënuese.
Shumicën e aktgjykimeve liruese i kishin shpallur gjyqtarë nga Evropa Perëndimore. Ndërkohë, misioni kishte bërë një strategji – rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vendet e Evropës Lindore, si Polonia, Bullgaria dhe Rumania, sepse sipas vlerësimit, këta gjyqtar shiheshin nga menaxhmenti si më të besueshëm dhe më të dëgjueshëm përballë presionit të menaxhmentit.
Vijon:
Cilët ishin gjyqtarët e besueshëm të EULEX-it, të cilët zbatonin urdhra politikë. Si ishte caktuar paneli gjyqësor në grupin Drenica në mënyrë të paligjshme. Si e kishte bërë kryetari i trupit gjykues, Sielicki, pjesë të panelit të dashurën e tij, Anna Adamkska Gallant? Cilët gjyqtarë po merrnin rroga pa punuar në Kosovë? 20/INSAJDER