Ekspertë francezë trajnojnë zyrtarët e Gjilanit për emergjenca

Gjilan | 31 Jan 2017 | 16:37 | Nga

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka pritur sot në takim një delegacion nga Franca, në krye me Jean Paul Bosland – kryetar i komunës në Gaillard, i cili shoqërohej nga kryetari i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare, Tahir Shabani dhe dy arkitektët, Sigfrido Lezzi e Christophe Piguet.

Kryetari Haziri ka falënderuar Paul Bosland për ardhjen në Gjilan, përderisa e ka informuar për aspektin e përgjithshëm të Gjilanit, përfshirë ekonominë, sigurinë, urbanizmin e emergjencat.

Ndërsa, kryetari i Komunës në Gaillard në Francë, Jean Paul Bosland, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen e ngrohtë, ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është që të japin  kontributin e tyre në menaxhimin e katastrofave natyrore.

Ai tha se janë të gatshëm që gjatë muajve të ardhshëm të sjellin ekspertë nga Franca, për trajnimin e zyrtarëve në aspektin e emergjencave.

Në takim u paralajmërua që së shpejti bashkëpunimi mes Gjilanit dhe Gaillard do të konkretizohet me një marrëveshje konkrete, në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.

Pas takimit, kryetari i Komunës në Gaillard në Francë, Jean Paul, ka parë nga afër punën që bëhet në Shërbimin e Zjarrfikësve dhe në Drejtorinë e Urbanizmit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme