Deklaratën e kryeministrit Kurti se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike, e kanë kundërshtuar ekspertët e ekonomisë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu i tha GazetësBlic se derisa kjo krizë nuk kuptohet si realitet, do të vështirësohet edhe më shumë situata ekonomike në Kosovë.
Sipas Gërxhaliut, Qeveria Kurti nuk po mundohet të gjejë alternativa për minimizimin e pasojave të krizës, teksa sipas tij një gjë të tillë po e bëjnë vendet e zhvilluara.
“Duhet të kuptohet që derisa kriza ekonomike nuk pranohet si realitet, ne vërtetë do ta vështerësojmë situatën ekonomike në Kosovë. Në këtë drejtim, kur vendet e zhvilluara bëjnë gara si të gjejnë alternativa për minimizimin e pasojave të krizës, në Kosovë ndodh e kundërta”, thotë Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se çmimi i konsumit do të jetë rekord, pasi sipas tij importi deri në fund të vitit do të arrijë vlerën deri në 5 miliardë euro.
“Duhet të kuptohet që Kosova ka nevojë për një rritje subsanciale, edhe 0.5% të jenë të involvuar, është rritje që i duhet Kosovës dhe jo gjithmonë parametri i llogaritjes bazë të jetë vetëm konsumi, që këtë vit do të jetë rekord sepse, siç duket deri në fund të vitit importi do të jetë deri në 5 miliardë euro”, shton Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se rritja ekonomike e prezantuar nga Qeveria Kurti është e dëshiruar, por vështirë e realizuar.
“Krejt kësaj i shtohet edhe fakti që investimet kapitale janë shfrytëzuar afër 10%, besoj që është agregati më i mirë për ta kuptuar vërtetë që rritja ekonomike e prezantuar nga Qeveria Kurti është e dëshiruar por vështirë e realizuar”, tha Gërxhaliu.
Edhe eksperti i ekonomisë, Agim Shahini thotë se situata ekonomike në vend është është rënia më e madhe në historinë më të re të Kosovës.
Shahini thotë se, gjatë këtij viti ka rënie 300% të rritjes ekonomike dhe sipas tij Qeveria Kurti po tenton ta arsyeton këtë fakt shqetësues, me forma të ndryshme.
“Këtë vit, situata ekonomike në Kosovë është rënia më e madhe në historinë më të re të Kosovës, e cila ka pësuar nga viti i kaluar.Nga 10% në 3%, kjo konsiderohet që ka rënie në 300% të rritjes ekonomike, ndërsa qeveria ende tenton që ta arsyeton këtë rënie me forma të ndryshme, por kjo është një realitet i keq e i hidhur që e ka prekur çdo qytetar, çdo ndërmarrës dhe çdo kompani”, thotë Shahini.
Sipas Shahinit, nuk mund të flasim që në Kosovë ka rritje ekonomike kur 23% e qytetarëve po e kalojnë ditën me dy euro.
“Rritja nuk duhet të matet vetëm me rritjen e të hyrave nga dogana dhe ATK-ja sepse kjo rritje ka ndodhur për shkak të rritjes së bazës së çmimeve, gjë që ka bërë të rritet varfëria në Kosovë”
“Pothuajse, ne kemi rreth 23% të qytetarëve të vendit që jetojnë me më pak se 2 euro në ditë, kjo është një shqetësim i madh dhe nuk mund të flasim se në Kosovë është duke u rritur ekonomia e vendit dhe standardi jetësor”, tha Shahni.
Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa thotë se sa i përket rritjes ekonomike nga aspekti i të hyrave nga dogana apo ATK-ja, ka rritje buxhetore.
“Sa i përket rritjes ekonomike nga aspekti i të hyrave, qiftë nga ato të doganës apo ATK-ja, ka rritje buxhetori që duhet vlerësuar”, thotë Bellaqa.
Bellaqa për GazetaBlic, thotë se importi ende është më i madh se eksporti dhe sipas tij për të ndodhur e kundërta duhet të ndryshohet politika fiskale.
“Aspekti i rritjes ekonomike nga treguesit makroekonomik (Investime, eksport, import, konsum, shpenzimet qeveritare) disa tregues tregojnë se ka përmisime si p,sh, ka rritje të eksportit, por importi është ende shumë më i madh se eksporti. Në këtë rast një ekonomi është me trende pozitive kur eksporti është ma i madhe se importi, por që të jetë eksporti ma i madh se importi duhet që të ndryshohet politika fiskale, pra tvsh-ja, të mblidhet brenda dhe të paguhet pasi të shiten produktet dhe sherbimet dhe jo siç po vazhdon mbledhja e tvsh-së, në kufij dhe ende pa i shitur produktet dhe shërbimet”, tha Bellaqa.
Kujtojmë se, Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbledhjen e 100-të të Qeverisë Kosovës ka thënë se për një vit e gjysmë vendi ka shënuar rritjen historike ekonomike.
“Kemi rritjen ekonomike historike në vendin tonë për vitin që shkoi me 10.7 për qind ndërkaq në çerekun e parë të këtij viti kemi 4.9 për qind të bruto produktit vendor”.
“Në vitin 2021 të hyrat e doganës janë rritur për 30.8 për qind. Kemi shlyerje të borxheve qindra milionë euro. Kemi bërë luftim të pakompromis të punës jo-formale dhe kontrabandës. ATK ka parandaluar dëmtim të buxhetit për mbi 12 milionë euro”, tha Kurti.