Mjekët ligjorë kosovarë, Flamur Blakaj, Naim Uka dhe ortopedi Milazim Haxholli, kanë pranuar para prokurorit të Shtetit, Armend Hamiti, se nuk kishin materialet e nevojshme për ta kryer ekspertizën e mirëfilltë të pacientes N. Berisha. Si rezultat, ekspertiza e kryer në Gjermani demanton vlerësimin që kishin dhënë ata për pacienten me skoliozë.
Detaje të reja ka zbuluar gazeta “Zëri” në lidhje me ekspertizat vendore të kryera në lidhje me trajtimin e vogëlushes N. Berisha nga Prishtina, së cilës boshti kurrizor ka marrë formën e germës S derisa po mjekohej tek doktori, tashmë i akuzuar, Visar Nushi. Ky i fundit, sipas ekspertizave që i janë kryer pacientes në Gjermani, kishte bërë gabime gjatë matjes së shkallës së skoliozës që shkojnë deri në 16 shkallë, duke pasuar pastaj edhe terapi të gabuara.
Por, para se të kryhej ekspertiza në Gjermani edhe ekspertët vendorë të Mjekësisë Ligjore kishin dhënë mendimin e tyre. Ekspertizën që kishin bërë mjekët ligjorë, Flamur Blakaj, Naim Uka dhe ortopedi Milazim Haxholli, pas një urdhri të Prokurorisë ka dalë të jetë kontradiktore me të gjeturat e ekspertizës së kryer në Gjermani nga ana e doktorit Matias Havel, ortoped pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Essenit.