Është bërë një shekull qëkur ndodhi Lufta e Madhe si pasojë e së cilës humbën jetën 40 milionë njerëz, por luftërat vazhdojnë të ndodhin gjithandej botës, e presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, kërcënon të hedhë “zjarr e tërbim” kundër kundërshtarëve të tij.
Si një lloj pasqyre lidhur me atë se si artistët i janë përgjigjur shkatërrimit të tmerrshëm nga konflikti global, “Aftermath: Art in the Wake of World War One”, ekspozita e cila u hap me datën 5 të muajit qershor në “Tate Britain” të Londrës vjen në një kohë të veçantë.
Duke eksploruar ndikimin e drejtpërdrejtë të “luftës për t’u dhënë fund gjithë luftërave”, në artin britanik, gjerman dhe francez, shfaq më shumë se 150 vepra nga artistë që përfshijnë George Grosz, Hannah Höch, Pablo Picasso, Otto Dix, Christopher R. W. Nevinson dhe Käthe Kollwitz.
Kjo periudhë e trazuar e pasluftës kryqëzohet me shfaqjen e stileve radikale të reja artistike si dadaizëm dhe surealizëm që iu përgjigjën natyrës së luftës, kulturës së kujtesës dhe rindërtimin e pasluftës. Piktori britanik i peizazheve prezanton një pamje ajrore të qytetit Ypres në Belgjikë pasi që ishte bombarduar në vitin 1915. Ai ka prezantuar motive abstrakte të marra nga kubizmi dhe futurizmi. R.W. Nevinson, artist i përkushtuar ndaj futurizmit italian, fillimisht besoi se konflikti ishte shenjë e progresit në kohën e makinerive. Por, pasi që shërbeu në luftë, në Francë, ai u kthye kundër luftës.
Pjesë e serive të luftës nga artisti francez Georges Rouault është vepra “Arise, You Dead”, që paraqet skelet si prezantim i vdekjes në mitologjinë e mesjetës, për të reflektuar në pakuptimësinë e betejës në front gjatë luftës së madhe. Një katolik i cili vazhdimisht punoi me motive religjioze, Roault, ndoshta ka komentuar edhe në imoralitetin esencial të luftës. Ndonjëherë pikturat kontroverse përshkruajnë jo vetëm marshet e fitoreve të luftëtarëve patriotikë, por edhe brutalitetin e betejës dhe humbjen e dinjitetit për ushtarët të paidentitet të zënë në masakrën e pakuptimtë industriale. Disa prej artistëve kanë shërbyer në frontin lindor apo perëndimor, përfshirë piktorin anglez Paul Nash, veprat e të cilit shfaqin peizazhet e shkatërruara, të zhveshura dhe të brishta.
Në vitet e pasluftës fotomontazhet e artistëve dadaistë, sikur Hannah Höch kanë parodizuar me elitat e korruptuara që flisnin për paqen, derisa kolegët e saj si Grosz dhe Dix janë fokusuar në veteranët e gjymtuar dhe të paaftë dhe prostitutat e dëshpëruara të cilat i bartën pasojat e tyre, të gjitha këto të shkaktuara nga lufta.
Vepra të tjera prekin vajtimin dhe kujtesën, me artistë si Käthe Kollëitz, Andre Mare dhe William Orpen, nga të cilët është kërkuar që të krijojnë skulptura dhe piktura për të mbajtur mend dhe përkujtuar konfliktet. Sidoqoftë, “To the Unknown British Soldier in France” e Orpen refuzon të glorifikojë krerët e shtetit në Versailles dhe pasi ishte refuzuar, artistit i ishte kërkuar që të përfaqësojë “ushtarët e leckosur e të papunë dhe të vdekur”. “Aftermath: Art in the Wake of World War One” prej datës 5 do të jetë e hapur deri më 23 shtator të vitit 2018 në njërin prej muzeve më të njohur të artit bashkëkohor “Tate”.