Ekstradohen dy të dyshuar mes Kosovës dhe Shqipërisë, arrestohet në Prishtinë edhe një shtetas turk i kërkuar nga INTERPOL-i

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitë e tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e dy personave të dyshuar. Njëri është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë, ndërsa tjetri nga Kosova në Shqipëri.

Sipas Policisë, të dyshuarit ishin arrestuar pasi kërkoheshin nga INTERPOL-i me letër-rreshtime ndërkombëtare të lëshuara nga institucionet e drejtësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

“Njëri nga të dyshuarit ka qenë i kërkuar për veprat penale “Blerje, posedim, shpërndarje e substancave narkotike dhe kalim i pa autorizuar i vendkalimeve kufitare”, ndërsa i dyshuari tjetër ka qenë i kërkuar për përfshirje në veprën penale të “Trafikimit me narkotikë”, që të dy janë adresuar tek kompetentët për trajtim të mëtejmë sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia njoftoi edhe për arrestimin e një shtetasi turk, i cili kërkohej nga INTERPOL-i me letër-rreshtime ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet e Malit të Zi dhe Turqisë.

“Po ashtu me datën e njëjtë, në Prishtinë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit të PK-së ka bërë arrestimin e shtetasit turk pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër-rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Malit të Zi dhe ato të Turqisë për veprat të ndryshme penale “Mashtrim, Shmangie nga tatimi dhe Falsifikim i dokumenteve zyrtare””.

Me urdhër të prokurorit kompetent, Policia tha se i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa procedurat e tjera ligjore do të vazhdojnë sipas legjislacionit në fuqi.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitetet tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.

Të ngjashme