Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit N.Sh., shtetas i Shqipërisë, i dyshuar për kultivimin e 1,259 bimëve narkotike të llojit kanabis sativa.
“Kemi paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit N.Sh., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, nga neni 272 paragrafi 1 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas kërkesës, N.Sh. dyshohet se në bashkëveprim me të pandehurin tjetër, O.Sh., në fshatin Panorc të Malishevës, deri më 19 qershor 2024, kanë kultivuar rreth 1,259 bimë kanabis në tri parcela të ndryshme.
“Parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit ajror me dron”, thekson Prokuroria.
I pandehuri N.Sh. kishte qenë në arrati që nga kryerja e veprës penale, derisa është arrestuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.
“Pas arrestimit, i pandehuri është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës”, njofton Prokuroria.
Rasti tashmë është paraqitur për vlerësim në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku pritet të vendoset për masën e kërkuar të paraburgimit.