Qyteti i Elbasanit është ndër të paktët qytete në vendin tonë që ka të ruajtur ende sot nga e kaluara, në gjendje të plotë e të mirë, kullën e Sahatit.
Specialistët e DRKK Durrës, sektori Elbasan zhvilloi një inspektim në këtë monument gjendja e të cilit paraqitet e mirë. Punëtorët e mirëmbajtjes po kujdesen që të pastrohet nga vegjetacioni i ulët dhe i lartë rreth objektit si dhe në muret e sipërme të kalasë duke qenë se ky objekt ndodhet në një nga kullat e murit jugor të kalasë.
Këto kulla sahatesh kanë qenë karakteristikë e qyteteve shqiptare në mjediset e tyre urbane që nga mesi i shek. XVI dhe shërbenin si kulla të posaçme në te cilat kishte orë për matjen e kohës. Përgjatë shek.XVII objekte të tilla ishin ndërtuar në disa nga qytetet kryesore të vendit si: Prizreni, Berati, Shkodra, Prishtina, Peja, Kruja dhe Elbasani.
Ishin tregtarët vendas ata të cilët e hodhën idenë për ndërtimin e këtyre kullave me sahat, ndërtime të cilat i patën parë në vendet evropiane ku bënin tregtinë. Madje prej këtyre vendeve u morën dhe mekanizmat e ndërtimit të orëve dhe u ndërtuan kulla të posaçme në sheshet e pazareve. Si vendi më i përshtatshëm në qytetin e Elbasanit për ndërtimin e saj u mendua kulla pranë portës jugore të kalasë së Elbasanit, transmeton atsh.
Kulla e sahatit është monument kulture i kategorisë së parë dhe është një ndërtim me tre kate. Lartësia e saj shkon rreth 30 m, ka një planimetri katrore 4.3- 4.3m dhe në lartësinë e saj ka të ekspozuara në të katër anët orën dhe këmbanoren e saj.