Që nga viti 2009, ndërmarrja “Elektro sever”, si furnizues me energji elektrike, operon në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Kjo ndërmarrje nuk ka aplikuar asnjëherë për licencim në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovës, siç parashihet me Marrëveshjen për energji të arritur më 2013-n mes Kosovës e Serbisë, në Bruksel. Ndërmarrja ka dështuar të regjistrohet edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, meqë kërkesa e saj nuk ishte në harmoni me ligjet e Kosovës.
“Deri më tani kompania ‘Elektro sever’ nuk ka aplikuar për të marrë licencë për kryerjen e aktivitetit të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së, raporton KOHA.
Për pasojë, për energjinë e shpenzuar në këtë pjesë, Kosova ka paguar miliona euro – shumë vjet duke ua faturuar qytetarëve si borxh shtesë, e nga viti 2017 nëpërmjet buxhetit të ndarë nga Qeveria.
Çështja e menaxhimit të sistemit të energjisë në veri është diskutuar edhe në institucionet ndërkombëtare. Madje, gjatë procesit të arritjes së marrëveshjes me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike (ENTSO), këta të fundit u kishin kërkuar autoriteteve kosovare që të fillojnë me menaxhimin e situatës në veri. Për çdo humbje të energjisë në këtë pjesë, përgjegjës, sipas ENTSO-s është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT).
“Në momentin kur marrëveshja e re KOSTT – ENTSO hyn në fuqi, për ndonjë devijim apo tërheqje eventuale nga rrjeti ndërkombëtar, përgjegjësia i bie kryekëput KOSTT-it”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT), Ilir Shala.