“Elektroserver” e ka shkelur marrëveshjen, por ZRRE-ja nuk po ia merr licencën

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Asnjëra nga pikat e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, i nënshkruar në muajin qershor, nuk është respektuar nga kompania shtetërore serbe “Elektrosever”. Sipas marrëveshjes tashmë kemi hyrë në ditët kur Zyra e Rregullatorit për Energji e ka të drejtën e tërheqjes së licencës. Përkundër kësaj ZRRE-ja thotë se ende është në proces të vlerësimit. Ekspertë të fushës së energjisë dhe ekonomistë bëjnë thirrje që “Elektrosever-it” t’i merret licenca, madje të shqyrtohet edhe mundësia e ndaljes së furnizimit me rrymë për komunat veriore të vendit.

Kompania që kishte marrë për detyrë të mbledhë borxhin e rrymës në komunat veriore, e ka shkelur secilën pikë të marrëveshjes.

Bëhet fjalë për kompaninë shtetërore serbe “Elektrosever”, e cila nuk e ka përmbushuar asnjë obligim ndaj KEDS-it dhe KOSTT-it.

Në udhërrëfyesin e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, parashihet që pas 100 ditësh nëse nuk respektohet ujdia, licenca tërhiqet.

Institucioni që e ka në dorë këtë kompetencë nuk po tregon se çka e kur do të veprojë.

“Aktualisht Zyra e Rregullatorit për Energji është në vlerësim të procesit të zbatimit nga palët e Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, te datës 21.06.2022. Zyra e Rregullatorit për Energji, do të veproj në harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga pika 8 e Udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë”, kanë thënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Pikërisht ZRRE-së ish-ministri i Energjisë, i ka bërë thirrje që të veprojë pa hamedje në përputhje me marrëveshjen në Bruksel.

“Unë menoj që ZRRE-ja duhet t’i alarmojë edhe një herë mekanizmat ndërkombëtar, duhet t’i mbajë të informuar për çdo ditë se pala serbe nuk po e respekton marrëveshjen dhe duhet t’ia tërheqim licencën kompanisë serbe e cila nuk po e respekton (marrëveshjen). Edhe po të mos e heqim licencën pra ta vazhdojmë atë ajo (Elektrosever) prap nuk do ta respektojë zotimin”, ka thënë Ethem Çeku, ish-ministër i energjisë.

Krahas kësaj Ethem Çeku propozon hapa edhe më radikalë.

“Realisht në qoftë se i ndërpresim furnizimin një qytetari të Kosovës në pjesët e Kosovës për një shumë krejtësisht të vogël të papaguar kurse ata që mbi 20 vite nuk po janë të gatshëm ta bëjnë asnjë veprim që të bëjnë pagesë unë mendoj që duhet të ndërhyjë Qeveria e Kosovës përmes mekanizmit ndërkombëtar Brukselit që të bëhet një zgjidhje. Në qoftë se Brukseli ka pare le t’i japin ata, por ne nuk kemi para aq shumë, nuk jemi vend aq i pasur ta mbajmë një komunitet gjithë kohën me një shërbim të cilin nuk e paguajnë”, është shprehur Çeku.

Përpos aspektit teknik e politik, ekonomistët thonë se mos-pagesa e rrymës është barrë e rëndë për buxhetin e shtetit.

“Kosova mesatarish paguan për fakturat e serbëve në pjesën veriore rreth 12-13 milionë euro, dhe kjo nëse shumëzohet për 20 vite del se Kosova ka paguar diku rreth mbi 200 milionë euro shpenzime”, ka thënë Muhamet Sadiku, ekonomist.

RTV Dukagjini për këtë çështje i ka adresuar pyetje edhe Qeverisë së Kosovës. Por, gjatë ditës nuk është përgjigjur nëse do t’i heqet licenca apo jo “Elektroseveri-t”.

Përgjigje për fatin ekësaj çështje nuk kanë dhënë as nga zyra e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Për vitin 2021 sipas një raportimi nga KOSTT borxhi i rrymës në pjesën veriore kap vlerën 40 milionë euro.

Të ngjashme