Eleonora Berisha, në mision paqësor me uniformën ushtarake zvicerane

Prishtinë | 02 Jan 2017 | 14:36 | Nga

Në një intervistë për albinfo.ch Eleonora sjell përvojat nga misioni me Swisscoy në Kosovë, në vendin ku i bën pushimet me prindërit e saj. Ajo është e angazhuar në spitalin ushtarak të Bundesverit gjerman

Janë me qindra shqiptaro-zviceranë që sot mbajnë uniformën ushtarake të Zvicrës.

Ata janë të avancuar edhe në detyra dhe hierarki të larta, ku kemi edhe oficerë dhe ushtarakë me përgjegjësi të larta ushtarake.

Një pjesë e mirë e ushtarëve me origjinë nga Kosova në radhët e kësaj ushtrie janë edhe pjesë e misioneve ndërkombëtare paqësore, të cilët kryejnë detyra të rëndësishme dhe udhëheqëse.
Në mesin e tyre është edhe Eleonora Berisha, e cila kishte fatin të shërbente në një mision ushtarak në vendin e prindërve të saj, në kontingjentin e Swisscoy që vepron në kuadrin e KFOR-it në Kosovë.

Në një intervistë për albinfo.ch Eleonora sjell përvojat nga misioni me Swisscoy në vendin ku i bën pushimet me prindërit e saj, por jo në Mitrovicë, por në Prizren, në spitalin ushtarak të Bundesverit gjerman.

Eleonora, si infermiere ushtarake, thotë të mos jetë edhe lehtë për një femër të marrë pjesë me ushtrinë zvicerane në një mision jashtë vendit.

Albinfo.ch: Çka do të thotë për ju si vajzë me rrënjë shqiptare nga Kosova të shërbeni në Swisscoy me ushtrinë zvicerane?

Eleonora Berisha: Çdo pjesëtar i SWISSCOY është shtetas zviceran dhe nuk ka dallime në bazë të origjinës apo kulturës. Unë me misionin tim dua t’i jap diçka Zvicrës. Zvicra më ka mundësuar të jem ajo që jam sot.

A jeni ushtarja e parë me origjinë nga Kosova që shërbeni në mision ushtarak të Zvicrës në Swisscoy?

Jo, ka pasur edhe të tjerë para meje në SWISSCOY që kishin lidhje familjare me Kosovën.

Cili është funksioni juaj në SWISSCOY dhe çfarë grade ushtarake keni?

Grada ushtarake varet nga funksioni që keni në misionin ushtarak. Jam infermiere e diplomuar dhe punoj si infermiere në spitalin ushtarak të Bundesverit gjerman në rangun e rreshterit në kampin në Prizren.

Pse ky interesim i Eleonorës për uniformën ushtarake?

Si e vogël jam veshur dhe kam qenë e interesuar për jetën ushtarake. Nuk kam dashur ta humb mundësinë për të shërbyer në një mision miqësor jashtë vendit në Kosovë ose në një vend tjetër.

Çfarë bën SWISSCOY dhe sa i keni përmbushur detyrat tuaja në një mision ushtarak paqësor jashtë vendit?

Nëse merrni një funksion në një mision duhet të trajnoheni dhe të rekrutoheni mirë në Zvicër, unë i di mirë këto sfida. Si Infermiere kam marrë përgjegjësinë për shëndetin dhe mirëqenien e pacientëve të mi, qoftë me veshje civile ose këtu në Kosovë në mesin e ushtarëve. Tipike zvicerane, pikat e forta, si barazia, disiplina dhe saktësia, që më ndihmojnë të bëj mirë punën time dhe e karakterizojnë në përgjithësi punën e SWISSOY në Kosovë.

Çfarë e bën të veçantë misionin tuaj me SWISSCOY në Kosovë?

Po, është diçka e veçantë për një zvicerane me uniformë ushtarake të shërbejë jashtë vendit për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin. Ngase prindërit e mi janë nga Kosova, kjo e bën edhe më specifike. Prandaj unë jam shumë krenare për të vënë aftësitë e mia personale dhe profesionale të shërbim të SWISSCOY.

Çfarë përvojash keni pasur me punën tuaj në Kosovë?

Kam pasur shumë përvoja të vlefshme profesionale dhe kam arritur të lidh kontakte personale. Më emocionues për mua ishte bashkëpunimi në kuadër të KFOR-it në një mjedis ndërkombëtar. Të papërshkrueshme ishin stërvitjet e kërkim-shpëtimit me Forcat e Armatosura Federale Gjermane ose stërvitjet e transportit ajror me Forcat Ajrore Amerikane. Gjithashtu kam takuar shumë përfaqësues institucionesh lokale mjekësore dhe profesionistëve në Kosovë. Si zëvendëse e infermieres së lartë unë kam pasur mundësi t’i zgjeroja njohuritë e mia profesionale dhe të trajnohesha më tutje.

Si jeni pritur në kampin ku keni shërbyer në Kosovë?

Jam pritur ngrohtësisht në kampin fushor të KFOR-it gjerman në Prizren. Kolegët dhe koleget e mia gjermane bëjnë punë të shkëlqyeshme dhe mbretëron një atmosferë e hapur profesionale.

A është jeta ushtarake jashtë vendit më e vështirë se në Zvicër?

Ndonjëherë është e vështirë, ngase je larg nga shtëpia. Por, është edhe aq interesante: Mund të mësoni të jeni më të pavarur dhe të qëndroni në këmbët tuaja. Për shkak të punës së larmishme që kam, unë nuk kam kohë për t`u marrë shumë me gjëra të ndryshme. Por nëse megjithatë më preokupon diçka, atëherë unë kam mjaft njerëz përreth me të cilët mund të zhvilloj ndonjë bashkëbisedim të mirë dhe motivues. Mund t’ua sugjeroja të gjithë zviceranëve të shëndetshëm dhe të motivuar një mision ushtarak zviceran jashtë vendit “SWISSCOY”, për të mësuar diçka të re në një mjedis ushtarak.

Swisscoy në Kosovë nga viti 1999

Misioni Swisscoy ndodhet në Kosovë që nga tetori i vitit 1999, si pjesë e KFOR-it. Që nga fillimi e deri më tash në këtë mision kanë marrë pjesë 5400 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Zvicrës. Duke filluar nga viti 2002, pjesëtarët në mision janë të armatosur, ndërsa mandati i misionit aktual përfundon në fund të vitit 2017.

eleonora-swissscoy

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme