Elezaj dhe Lekaj nënshkruajnë marrëveshje për asfaltimin e 5 rrugëve në vlerë 4 milionë euro

Prishtinë | 30 Mar 2018 | 15:16 | Nga

Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe Ministri i Infrastrukturës, Dr. Pal Lekaj, kanë nënshkruar sot në Klinë, memorandum mirëkuptimi për asfaltimin e 5 rrugëve në Komunën e Klinës, vlera e të cilave është 4 milionë euro. Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës në fshatin Poterq- 400 mijë euro, rrugës në Krushevë të Madhe- 500 mijë euro, rrugës Sferkë-Perqevë- 500 mijë euro, rrugës Qupevë-Ujmirë- 900 mijë euro dhe asfaltimi i rrugës Stupë- Videjë-Zajm që kap vlerën 1.5 milionë euro. Gjithashtu, do të bëhet edhe asfaltimi i rrugës Klinë-Gurrakoc i Istogut në vlerë 300 mijë euro.

Kryetari Elezaj, ka falënderuar ministrin Lekaj për mbështetjen në realizimin e këtyre projekteve shumë të nevojshme për komunitetin dhe ka kërkuar që të shikohet mundësia që edhe në rishikim buxhetor të ndahen mjete për realizimin e projekteve tjera që janë të nevojshme për qytetarët që të krijojmë lehtësi në lëvizje. Elezaj, përmendi edhe asfaltimin e rrugës unazore nga aksi rrugor Klinë – Skenderaj, që lidhet me kryqëzimin e rrugës Klinë-Pejë-Gjakovë në fshatin Gremnikë, që do të zbrazte qytetin nga lëvizjet e automjeteve. “ Ne i kemi nisur përgatitjet e nevojshme për këto projekte dhe në afatin sa me të shkurtër do të nisin procedurat për këto rrugë”, ka thënë Elezaj sipas të cilit bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës do të realizojmë edhe projekte tjera.

Ministri, Pal Lekaj, që në Klinë ishte bashkë me zëvendësministrin, Rexhep Kadriu e shefin e Kabinetit, Argjent Zejnaj, i ka thënë kryetarit Elezaj, nënkryetarit Besim Hoti dhe drejtorëve Lorenc Marleku e Aziz Desku, se MI-ja do të mbështes gjitha projektet e Klinës dhe sot jam këtu për të nënshkruar memorandum mirëkuptimi, që ka të bëjë me asfaltimin e 5 rrugëve, të cilat kanë impakt pozitiv për qytetarët. Ai premtoi mbështetje edhe në realizimin e projekteve tjera pas rishikimit buxhetor. “ Në vitin 2019 do të realizojmë gjitha projektet që kemi premtuar. Do të jemi mbështetës të fortë të Komunës së Klinës aty ku përfitojnë qytetarët. Për Komunën e Klinës, MI-ja përmes këtyre memorandumeve ia dedikon rreth 4 milionë euro, përmes të cilave do të tentojmë të rregullojmë infrastrukturën, e cila bën lidhjen e rrethinës me qytetin e Klinës”, ka thënë Ministri Lekaj.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme