Elon Musk do të japë dorëheqje nga pozita e shefit ekzekutiv të Twitter

Prishtinë | 21 Dhj 2022 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Elon Musk ka thënë se do të japë dorëheqjen nga posti i shefit ekzekutiv të Twitter.

Miliarderi kishte premtuar më herët se do të respektonte rezultatet e një sondazhi që ishte bërë nga përdoruesit e Twitter, ku 57.5 përqind e përdoruesve kishin qenë pro largimit të tij nga pozita e shefit të këtij rrjeti social.

Pas largimit të tij, ai ka thënë se do të vazhdojë t’i drejtojë ekipet e softuerit dhe serverëve.

Musk ka shtuar se ai do të jap dorëheqje kur të gjejë një zëvendësim të tij për të drejtuar Twitter-in.

“Do të jap dorëheqjen si shef sapo të gjej dikë mjaft budalla për të marrë vendin e punës! Pas kësaj, unë thjesht do të drejtoj ekipet e softuerit dhe serverëve”, ka shkruar Musk në Twitter.

Musk e ka blerë Twitter-in në tetor të këtij viti, dhe i ka larguar një pjesë të madhe të punëtorëve nga puna, si dhe për përdoruesit e këtij rrjeti social është munduar ta fusë në përdorim mundësinë e verifikimit me pagesë, shkruan BBC.

Këto ndryshime u kritikuan shumë nga përdoruesit e Twitter, dhe e shtynë Musk që të bëjë atë sondazh për largim të tij.

Të ngjashme