Të hënën, Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë dënuar sulmin e një cisterne që i përkiste firmës shtetërore të naftës në Abu Dhabi ADNOC, e cila u përpoq të kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Këtë veprim, Emiratat e Bashkuara Arabe e kanë cilësuar si “sulm terrorist iranian”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se cisterna e ADNOC u shënjestrua nga dy dronë iranianë, ndërsa po kalonte nëpër ngushticë, por nuk u regjistrua asnjë lëndim.
Ministria shtoi se shënjestrimi i anijeve tregtare dhe përdorimi i Ngushticës së Hormuzit “si një mjet shtrëngimi ekonomik ose shantazhi përfaqëson akte piraterie nga Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit”.
“Këto sulme konfirmojnë se kërcënimi iranian për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit është i vazhdueshëm dhe nuk mund të injorohet”, shkroi në X Anwar Gargash, një këshilltar i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, raporton CNN.
Deklarata e Abu Dhabit vjen mes tensioneve të larta në rrugën kryesore ujore. Marina e Iranit thotë se pengoi anijet amerikane të hynin në Ngushticën e Hormuzit, gjë që ushtria amerikane e ka mohuar.