Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimin me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, raporton Ekonomia Online.
Lajçak nuk është prononcuar pas takimit, teksa ka thënë se nesër do të mbajë një konferencë për medie, ku do tregojë në detaje për takimet që ka zhvilluar në Kosovë.
Lajçak do të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
Ai është takuar dje me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osman dhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Lajçak ka ardhur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Në fillim të muajit prill të këtij viti, Miroslav Lajçak u emëruar si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria pati vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, raporton EO.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re, ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.