Ende nuk u respektua afati për dërgimin e Kodit Civil në Kuvend

Prishtinë | 03 Jan 2023 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Vjeshta dhe periudha para Vitit të ri u përmendën si dy afate kohore për votimin e projektkodit civil. Mirëpo ky projektkod nuk u dërgua në Kuvend, pavarësisht se u paralajmërua nga Ministria e Drejtësisë se një gjë e tillë do të ndodh “shumë shpejtë”.

Të premten e 23 dhjetorit të vitit të kaluar, u mbajt seanca e fundit për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës. Gjatë gjithë seancave në këtë sesion, nuk pati hapësirë për projektkodin civil i cili ndër të tjera rregullon edhe bashkësitë civile mes personave me gjini të njëjtë, pasi dështoi të votohej në mars.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në fillim të shtatorit tha se ky projektkod në vjeshtë vjen sërish në Kuvend.

“Projektkodi vjen sërish në vjeshtë, një dokument i rëndësishëm, i dyti pas kushtetutës në raport të rregullimit të jetës së qytetarëve prej lindjes deri në vdekje… Para tetorit nuk besoj që ka shansë teorike”, kishte deklaruar Kusari – Lila , në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si afat për votimin e këtij projektkodi e përmendi periudhën para Vitit të Ri.

“Po unë mendoj që para Vitit të Ri, kështu kanë qenë fjalët. Te shohim. Të them të drejtën, kjo nuk është përgjegjësi vetëm e mazhorancës dhe as nuk mendoj që duhet me qenë. Ne po flasim për do orientime vlerore afatgjata. Ke me i vendos do baza e standarde që s’ke me mujt me i hjek më, mundesh me rregullu atë punë me kompletu, por jo me…sepse është e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Konjufca në RTV Dukagjini më 8 dhjetor.

Tetori shkoi, njëjtë siç shkoi në pushim edhe Kuvendi i Kosovës, për t’u rikthyer të hënën e tretë të janarit.

Për votimin e këtij projektkodi, një afat e dhanë edhe nga Ministria e Drejtësisë, mirëpo nuk përmendën festa, stinë e as muaj.

“Drafti i Kodit Civil tashmë pothuajse është i finalizuar, me ndryshimet adekuate edhe në nenin 1138. Shumë shpejtë, posa të finalizohet nga Zyra e Kryeministrit, i njëjti do të jetë publik dhe do të procedohet për votim”, kanë thënë nga MD.

Ende nuk dihet saktësisht se kur projektkodi civil do të dërgohet për votim në Kuvend, njëjtë siç nuk dihet nëse VV ka siguruar votat e mjaftueshme për këtë projektkod.

Të ngjashme