Enver Hoxhaj aktiv në Konferencën e Sigurisë, më shumë takime se Kurti e Gërvalla

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Enver Hoxhaj, ka postuar në llogarinë e tij në Facebook një sërë takimesh me personalitete të njohura botërore, të cilat po marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe kryeministri Kurti dhe ministrja e Jashtme, znj. Gërvalla, por nga postimet në Facebook duket se nënkryetari i PDK-së ka më shumë aktivitete e takime.

Z. Hoxhaj ka postuar fotografi gjatë takimit me ish-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, John Kerry.

“Takim me mikun e Kosovës dhe me mikun tim të veçantë, John Kerry, ish-Sekretar i Shtetit amerikan”, ka shkruar Hoxhaj, duke e falënderuar SHBA-në për mbështetjen, tashmë kur ndodhemi në prag të kremtimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ai ka postuar fotografi të takimeve edhe me ish-kryeministrin e Suedisë, Carl Bildt, ish-presidentin estonez, Toomas Hendrik Ilves, ish-kancelarin austriak, mikun e tij, Sebastian Kurtz, dhe personalitete të tjera të njohura.

Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila filloi sot dhe zgjat deri më 18 shkurt, është konferenca e 60-të me radhë dhe një pikë e njohur takimi i politikanëve të nivelit të lartë, ushtarakëve dhe ekspertëve të Sigurisë nga mbarë bota.

Të ngjashme