Epërsia e Juventusit në Seria A përballet me një provë të ashpër, me kampionin në fuqi që ka vetëm një pikë përpara Lazios derisa kampionati italian rifillon këtë fundjavë pas një pezullimi prej tre muajve shkaku i përhapjes së koronavirusit.
Një kthim i Serie A ishte dukur i paimagjinueshëm në muajin prill, pasi Italia numëronte vdekjet e përditshme nga koronavirusi, të cilat shkuan në gati 35 mijë viktima në vend, transmeton koha.
Por situata është përmirësuar me protokollet e rrepta shëndetësore në vend dhe tani të gjitha ndeshjet do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura.
Katër lojëra të anuluara do të zhvillohen së pari këtë fundjavë, duke përfshirë ekipe që gjenden në epiqendrën e shpërthimit të COVID-19. Atalanta e pret Sassuolon në shtëpi të dielën, ndërsa Interi luan si vendas ndaj Sampdorias.
Të shtunën (sot), Torino e pret Parman derisa Cagliari është mysafir i Veronas. Ndërsa javën tjetër, të gjitha skuadrat do të kenë nga 12 ndeshje për t’i luajtur deri në fund të këtij edicioni, me Juventusin që starton në udhëtim kundër Bolognas të hënën, dhe Lazion që e viziton Atalantan të mërkurën. Juventusi i trajnerit Maurizio Sarri pësoi humbje në finalen e Kupës së Italisë të mërkurën mbrëma pas penalltive nga Napoli, ndërsa në dhjetor të vitit të shkuar e humbi edhe Superkupën pas disfatës nga Lazio.
“Ronaldos, Dybalas dhe disa të tjerëve u ka munguar shkëlqimi në ndeshjet e kupës dhe kjo për mua është normale në këtë periudhë. Besoj se kur të rifillojnë ndeshjet kampionale do të jemi të gatshëm dhe më efikas”, ka thënë Sarri.
Mirëpo, problemet e Sarrit janë shtuar me mbrojtësin brazilian Alex Sandro, që ka lënduar ligamentet e gjurit ndaj Napolit dhe Sami Khediran e lënduar. Që të dy pritet të pauzojnë për një periudhë më të gjatë.
Ndërkohë, sulmuesi Gonzalo Higuain dhe qendërmbrojtësi Giorgio Chiellini ende nuk janë të gatshëm për të luajtur. Juventusi kundër Bolognas do të llogaritë në golashënuesin kryesor Cristiano Ronaldo, që nuk shënoi asnjë gol në dy ndeshjet e kupës italiane, gjysmëfinalen ndaj Milanit dhe finalen me Napolin.