Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ka ngritur padi penale kundër akademikut dhe analistit politik francez Philippe Moreau Defarges me akuzën “nxitje për vrasjen e presidentit” përmes deklaratave të tij gjatë një programi televiziv.
Avokati i presidentit Erdogan, Hüseyin Aydın, ka dorëzuar padinë prej katër faqesh në Kryeprokurorinë Publike e Ankarasë në emër të klientit të tij, presidentit Erdogan.
Në padi janë përfshirë fjalët e akademikut francez Defarges kundër presidentit Erdoğan në një kanal televiziv, ku kishte thënë se “Janë mbyllur rrugët ligjore për ankimim dhe ankimimet do të jenë pa rezultat. Ajo që mbetet është ose luftë e brendshme ose, edhe pse është e vështirë të thuhet, vrasja e Erdoganit”.
Gjithashtu, në padi thuhet se deklaratat e Defarges janë shembull i pikës deri ku ka arritur armiqësia kundër Erdoganit në Perëndim, e cila tanimë është shndërruar në shqetësim psikiatrik. Sipas padisë, nxitja e hapur për vrasjen e Erdoganit nuk hyn vetëm në fushën e juristëve, por edhe në atë të mjekëve të shëndetit mendor, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas padisë, deklaratat e të dyshuarit nuk janë vetëm mendim i thejshtë, por nxitje e hapur për krimin e lartpërmendur, duke marrë parasysh, siç thuhet, edhe ftesat e mëparshme për vrasjen e presidentit dhe organizatat terroriste që gjejnë përkujdesje në shumë shtete të Evropës.
“Ndaj të dyshuarit, juridikisht është e mundur që hulumtimi dhe procedimi penal të kryhen në Turqi për krimet e atribuuara ndaj tij”, thuhet më tej në padi, ku gjithashtu thuhet se autori i veprës nuk është i detyruar të jetë në Turqi për të hapur hetim dhe procedim ndaj tij.
Në padinë e ngritur është kërkuar hapja e hetimit ndaj Defarges për veprën penale me të cilën është ngarkuar dhe monitorimi i shëndetit të tij mendor nga institucionet shëndetësore, në rast se ai vjen ose ekstradohet në Turqi.
Sipas padisë, në qoftë se konfirmohet se shëndeti mendor është në rregull, atëherë kërkohet hetimi i lidhjeve të mundshme me organizatat terroriste me në krye PKK-në dhe FETO-n dhe në lidhje me atë se kujt i ishte dedikuar udhëzimi për vrasjen e presidentit.
Po ashtu, në padi kërkohet ndjekje penale ndaj Defarges dhe personave që kanë lidhje me të, duke u bazuar në provat që do të fitohen si rezultat i hetimit.