Escobar: Jam shumë optimist, pres rezultat pozitiv në Ohër

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 10:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar ka thënë se pret rezultat pozitiv nga takimi i 18 marsit në Ohër. Ndërsa për planin evropian, Escobar ka thënë se i jep një mundësi të madhe për paqe Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Escobar ka thënë se është optimist për këtë takim, teksa mbështet çdo rezultat që intensifikon mundësitë që këto dy vende të bëhen pjesë e komunitetit euro-atlantik.

Tutje, ai tha se po synohet një marrëveshje që të “funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën”.

“Mirëpres takime produktive në Ohër. Ne kemi për qëllim që të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plotë të komunitetit euroatlantik dhe mendojmë se ky propozim evropian, i lehtësuar përmes dialogut të BE-së ofron një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit, dhe si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë, ne kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, dhe jo vetëm për Kosovën po edhe për tërë rajonin që të çbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes por edhe gjithë Evropës”.

“Prandaj pres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj që pas të shtunës do të kemi lajme të mira”, deklaroi amerikani Escobar.

Pas Osmanit, Escobar është takuar edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti.

Të ngjashme