Në fshatin Drogomisht i vogël në Kërçovë të Maqedonisë, është bërë të martën varrimi i gazetarit Qani Mehmedi, i cili vdiq në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë. Qani Mehmedi lindi me 12 mars 1953 në Dragomisht të Vogël të Kërçoves.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat ”Bota e re “ dhe “Zëri i Rinisë”, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës , në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës “Dituria”.
Pas luftës punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen “ Lajm” kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.
Qani Mehmedi ishte laureat i Çmimit për gazetari “Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka” Çmimit ndërkombëtar “Ballkani – zemra e Evropës”, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën “ Zëri i Rinisë”, punëtor i dalluar i Gazetës “ Rilindja”. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera.