Është paradoks i madh të mendohet se VV-ja ishte kundër formimit të Gjykatës Speciale

Prishtinë | 29 Nën 2023 | 19:18 | Nga Sali Rexhaj

Dy fjalë rreth Gjykatës Speciale – Dhomave te Specializuara:

Formimi i saj nuk mund të shmangej pas miratimit të Raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës, dhe te gjithë ata që e kundërshtuan këtë gjë e bënë me hile. Ata e kishin qëllim që Gjykata të formohet nga OKB-ja ku rol të madh do të kishin Kina e Rusia, e jo që të formohet sipas ligjeve tona. Është demagogji e madhe të thuhet se e formoi Specialen PDK-ja me Thaçin. Po të kishin rrugë tjetër ata kurrë nuk do ta formonin. Është paradoks i madh të mendohet se VV-ja ishte kundër, sepse nuk e dëshironte arrestimin e gjykimin e krerëve te PDK-së e shtetit të Kosovës, ndërsa Thaçi me shoke e formoi sepse deshironin që të shkojnë në burg.

U bë gabim shumë i madh që u zhvillua fushatë në medie e vende publike me fotografi të Thaçit me shokë me parulla “Liria ka emër” dhe me aktivitete të Shoqatës së Veteranëve të Luftës. Kjo gjë nuk solli asnjë te mirë për askënd, vetëm se u arrestuan e dënuan krerët e kësaj shoqate, ndërsa prokuroria pati mjaft fakte që të arrestuarit t’i mbajë në burg dhe të mos lirohen deri sa të fillojë gjykimi.

Po ashtu ishte gabim trashanik shkuarja aq masive per t’i vizituar të arrestuarit në burg. Kjo gjë u shndërrua në një lloj pelegrinazhi. Është naivitet i madh të mendohet se nuk përcillen dhe nuk inçizohen bisedat gjatë vizitës, gjë e cila tani ua pamundëson vizitat dhe ua vështirëson jetën në burg të arrestuarve.

Që në fillim kam thënë se mbrojtja duhet t’u besohet vetëm avokatëve dhe të lejohet zhvillimi i gjykimit pa ndërhyrje e pa aktivitete të tjera të gjoja përkrahjes së të akuzuarve dhe anatemimi i Dhomave të Specializuara. Prokurorët e gjykatësit perëndimorë nuk i nënshtrohen presionit, përkundrazi siç po shihet ka efekt të kundërt.

P. S.
Jam përballur vetë në vitin 2010/11 me një gjykim këtu në Zvicër ku një ish-diplomate e Serbisë e perkrahur edhe nga një subjekt i majtë e disa shqiptarë të paguar, më kishte akuzuar rrejshëm se e kisha kërcënuar atë. Kishte interesim të gazetave e televizioneve që rasti të publikohej në medie, kjo gjë ishte në rregull edhe per mua. Por avokati im, një ndër më të mirët ne Zvicër ishte kundër.
– Publikimin e rastit ne media nuk e dëshirojnë gjykatësit dhe e përjetojnë si presion, me pati sugjeruar. Këtë sugjerim e pranova dhe me rezultoi në të mirën time në fund.

Të ngjashme