Eskalimi jofestiv i papërgjegjësisë

Prishtinë | 29 Nën 2023 | 23:09 | Nga Milazim Krasniqi

I përcolla mbrëmë përciptazi tre debate për temën e bashkimit kombëtar. Ajo që m’u imponua si mbresë ishte papërgjegjësia me të cilën disa pjesëmarrës të debateve flisnin për këtë temë.

Fjala vjen, njëri tha se vizita e Ibrahim Rugovës në vitin 1991 në Tiranë ka pasë si qëllim idenë e bashkimit kombëtar. Absolutisht nuk është e vërtetë. Bile me rastin e vizitës në memorialin ”Nënë Shqipëri”, ka pasur një incident: Rugova ka refuzuar të vendoste një kurorë te varri e Enver Hoxhës, për ç’arsye një ushtar e ka kthyer automatikun në drejtim të Rugovës.

Një tjetër folës tha se në kohën e Rankoviqit janë shpërngulë nga Kosova 100.000 shqiptarë. Është e pasaktë. Viktor Majeri në librin “Fundi i Jugosllavisë: goditja në Kosovë” pohon se në atë periudhë janë shpërngulë 232. 000 shqiptarë.

E treta, dikush po pohonte se ata që që janë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, janë për bashkim kombëtar. Krejt e palogjikshme duket.

Ndërsa spekulimi për kombin kosovar ishte pa shije dhe pa sens, veçmas i trumbetuar në natën e 28 nëntorit. Kosova është e proklamuar si shtet multietnik, por në esencë është shtet shqiptar. Kombi kosovar thjesht nuk ekziston.

Po ashtu ideja e “marrëveshjes së madhe” ndërmjet serbëve e shqiptarëve, nuk ka asnjë bazë logjike në realitet. Është vetëm mjegull propagandistike. Projekti nacional i Serbisë përjashton çfarëdo mundësie që Kosova të lihet jashtë orbitës serbe.

Kudo ku ndalesha, kishte edhe shumë pasaktësi, po nuk pata vullnet t’i regjistroja të gjitha. Do të duhej të bëja libër për to. E vetmja rrethanë që arsyeton disi këta analistë për pasaktësitë që thonë është se historianët nuk e kanë kryer si duhet punën e vet. Thjesht, historianët nuk kanë krijuar një pamje të vërtetë të ngjarjeve e zhvillimeve të kësaj periudhe. Por, kjo nuk e arsyeton askënd që flet me aq papërgjegjësi.

Mesazhi im miqësor për veten, për ta e për secilin që flet në medie është: nëse nuk e kemi studiuar vetë një çështje, pra nëse nuk i kemi rezultatet e hulumtimit vetanak, duhet t’u referohemi atyre që kanë bërë studime, e jo të flasim me hamendje, të paraqesim shifra të rreme e të manipulojmë publikun. Publiku ynë edhe ashtu është shumë i painformuar, prandaj nëse edhe manipulohet me të pavërteta, gjendja e tij bëhet edhe më e keqe. Bëhet saktësisht ashtu si kanë qejf populistët e pafytyrë.

Të ngjashme