Etiopia rrezikon ta ndjekë rrugën jugosllave të shpërbërjes

Prishtinë | 04 Jan 2021 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Një vend që dikur duket se kishte premisat e mrekullueshme për demokratizim paqësor është zhytur në konflikt ushtarak. Dhe krejt këto rrjedha bënë që shumëkush të paralajmërojë se në Afrikë mund të përshkallëzohet situata sikurse në ish-Jugosllavi në vitet nëntëdhjetë

Tigrej, Etiopi, janar (FP) – Etiopia ka ngjallur frikën se shteti afrikan mund të shndërrohet në një Jugosllavi afrikane pas shpërthimit të konfliktit në rajonin verior të vendit, Tigrej. Etiopia po përballet me kaos të brendshëm politik për shkak se qeveria ka dërguar ushtrinë në rajonin separatist, ku rajoni i Tigrejt kërkon autonomi më të madhe të vetëqeverisjes.

“Por, me spiralen e ngritur të vrasjeve dhe kërkesave politike nga grupet etnonacionaliste kanë hapur rrugën për konflikt në rajonin verior Tigrej në nëntor, e ardhmja e Etiopisë po bëhet përherë e më e zymtë, me disa analistë që paralajmërojnë se ka rrezik se mund të ketë dezintegrim të vendit në stilin ju8gosllav”, ka shkruar revista politike amerikane “Foreign Policy”. Ky medium ka përcjellë viteve të fundit për së afërmi zhvillimet në Etiopi, duke e analizuar situatën prej këndvështrimeve të ndryshme.

Ayenat Mersie, gazetar, ka thënë se lufta që shpërtheu në mes të vjeshtës ka rrokur vëmendjen më të madhe, por në vend po zhvillohet një përplasje e madhe edhe për digën që po ndërtohet në lumin Nil. Dhe përplasja për burimet natyrore rrezikoi të fuste në konflikt edhe vendet fqinje, si Sudani dhe Egjipti, përgjatë të cilave kalon Nili. Mersie druan se mund të ketë përshkallëzim të gjendjes për shkak të retorikës maksimaliste të të gjitha palëve të përfshira.

“…Kjo ngre mundësinë që tensionet e zhvilluara në hapësirën kibernetike të përshkallëzohen edhe në realitet”, ka thënë Mersie.

Florian Bieber ka shkruar gjerësisht për rrezikun që Etiopia të kthehet në Jugosllavinë e radhës. Në nëntor shpërthyen luftime për shkak se “kërkesat për autonomi shumë shpejt u përshkallëzuan në kërkesa për pavarësi”, duke bërë që gjendja e tanishme të krahasohet me ditët e para të ndarjes së Jugosllavisë në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Konflikti në Tigrej ka shpërthyer në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane, kur shumë analistë nuk e kishin vëmendjen kah zhvillimet në Afrikë dhe kur qeveria e kryeministrit Abiy ndërmori ofensiva të ashpra ushtarake. Grupet e ndryshme etnike akuzojnë palët ndërluftuese se kanë kryer masakra masive. Askush nuk ka marrë përgjegjësi për krimet e kryera. Liderët politikë të rajonit Tigrej po mundohen që së paku të ruajnë dominimin ekonomik në rajon, pavarësisht kërcënimeve të kryeministrit se ata më nuk do të kenë autoritetin e dikurshëm për të vendosur për rrjedhat lokale ekonomike.

Analistët e FP-së druajnë se më së keqi do ta pësojë popullsia civile, duke marrë parasysh tmerrin që përjetuan popujt e ish-Jugosllavisë kur Serbia e Slobodan Milosheviqit po mundohej ta shtrinte ndikimin dominues në Jugosllavi pas vdekjes së Titos, i cili e kishte e qeverisur prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Tigrej është rajon i Etiopisë, për historinë dhe trashëgiminë e të cilit kanë pretendime edhe nivelet qendrore, edhe ato lokale. Por, duke qenë se shtrihet përgjatë rripit kufitar me Sudanin, analistët paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit mund të shkaktojë destabilitet rajonal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme