Thanë se “nuk ishte lojtar për Dinamon”, por Hoxha vendosi kampionatin kroat

Prishtinë | 06 Maj 2024 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

“Thanë se nuk ishte lojtar për Dinamon, e pikërisht ai është njeriu që vendosi kampionatin”. Ky është titulli i shkrimit të gazetës së madhe kroate, Sportske Novosti, që i kushtohet sulmuesit të krahut, Arbër Hoxha.

Ai vendosi derbin mes Rijekës dhe Dinamo Zagrebit. Hyri në lojë në minutën e 87-të dhe në minutën e 89-të shënoi gol të bukur për fitoren 2:1. Tri xhiro para fundit, Dinamo i ka katër pikë më shumë se Rijeka dhe thuajse ka siguruar titullin e ri. Dinamo gjatë gjithë kampionatit ishte prapa Rijekës e Hajdukut. Por në momentin e duhur doli në vendin e parë dhe me fitoren në derbin e së dielës thuajse i dha fund çështjes së kampionit.

Hoxha në janar iu bashkua Dinamos nga Slaven Belupo. Për shkak të një ndryshimi në sistemin e lojës së Dinamos, ai kishte pak hapësirë në javët e fundit. Gjithsej në kampionatin kroat i ka luajtur 14 ndeshje, ndërsa goli i së dielës ishte i pari. Por ishte me shumë, shumë vlerë.

“Jakiroviq në lojë e futi Arbër Hoxhën, djaloshin që mbeti në plan të dytë, për të cilin disa vetëm filluan të flasin që nuk është lojtar për Dinamon. Dhe pikërisht ai me golin e tij, të dytin prej se erdhi në shtëpinë e kaltër, vendosi pikën në këtë kampionat. Çfarë rrëfimi i veçantë, çfarë çmendurie futbolli”, ka shkruar “Sportske Novosti”.

Festa ishte e madhe e lojtarëve dhe tifozëve të Dinamos pas fitores në Rijekë. Skuadra dominante e futbollit kroat po e fiton titullin edhe në një edicion shumë të vështirë.

Edhe sajti më i njohur kroat “index.hr” ka shkruar se goli i Hoxhës mund të jetë vendimtar në garën për titull të kampionit.

“Pikërisht goli i Hoxhës mund të jetë ai që do të vendosë kampionin. Reprezentuesi i Shqipërisë, që hyri dy minuta më parë, iku në krahun e majtë, u shmang nga mbrojtësi dhe me gjuajtje të saktë dërgoi topin në këndin e pambuluar të portës për festën e madhe të Dinamos”, shkruan “index.hr”.

Sajti tjetër “germanijak.hr” ka shkruar se me golin e shënuar, Hoxha ka shpaguar transferimin e bërë nga Dinamo.

“Tashmë e kishte vendin në rubrikën e ‘transferimeve të dështuara’ të Dinamos dhe më pas shkëlqeu në momentin vendimtar. Dhe Dinamos me shumë mundësi ia solli titullin e kampionit”, ka shkruar ky medium.

Vetë Hoxha ka thënë se ka përjetuar momentin më të mirë në karrierë.

“Jam krenar me golin dhe me fitoren e ekipit. Nuk ishim shumë të mirë në pjesën e parë. Goli i Rijekës na shokoi, por kemi shfaqur karakter dhe kemi fituar. Mendoj se ky është momenti më i mirë në karrierën time. Kam shënuar gol për tri pikë të vlefshme për titull të kampionit”, ka theksuar Hoxha.

25-vjeçari në Kosovë ka luajtur për skuadra si Istogu, Prishtina, Hajvalia e Besa, para se të shpërthente te Ballkani. Në vitin 2021 iu bashkua Lokomotivës së Zagrebit e më pas Slaven Belupos. Tashmë është edhe reprezentues i Shqipërisë.

Ndonëse periudha e përshtatjes te Dinamo po i zgjat më tepër se që pritej, me golin e së dielës Hoxha ka bërë tifozët e gjigantit kroat për vete.

Të ngjashme