Një eufori e madhe ka përfshirë Serbinë pas fitores së presidentit amerikan, edhe në ditët e zisë kur, nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, humbën jetën 14 persona.
Një pjesë e mirë e opinionit serb është e ngazëllyer për fitoren e ish-presidentit dhe tani presidentit të zgjedhut të SHBA-së. E gjithë kjo “bota serbe” famoze pret që Trump nesër t’ia kthejë Kosovën Serbisë, të pavarësojë Republikën Srpska dhe t’ia dorëzojë Ukrainën Putinit në një tabak, gjë që sigurisht është e pamundur, as teorikisht.
Megjithatë, nuk është çudi kur bëhet fjalë për iluzione politike serbe, pasi kemi të bëjmë me një qasje të nxehur dhe emocionale ndaj politikës.
Ky është ai parim i vjetër i servilizmit politik që daton nga koha sovjetike: kush do të duartrokasë i pari për Stalinin, kush do të sjellë i pari dhuratat. Dhe të gjithë presin privilegje dhe përfitime nga kjo.
Në të njëjtën mënyrë, edhe Vuçiq shpreson se do të jetë në qendër të vëmendjes së Trump-it, pasi ai i pari, pa komplekse, siç thotë vetë, e uroi për fitoren zgjedhore. Serbia zyrtare, do të thoshte dikush, pret shumë, dhe prandaj ka aq shumë festime nga individë të ashtuquajtur të “botës serbe,” si për shembull Milorad Dodik, i cili këndoi “Nuk na bën dot askush gjë, jemi më të fortë se fati,” dhe reagime të tjera të cilat ndoshta as vetë Trump-it nuk do t’i pëlqenin.
Nuk duhet harruar se Aleksandar Vuçiq, para katër vitesh, e mbështeti edhe Hillary Clinton me 2 milionë dollarë në garën zgjedhore që ajo humbi pikërisht ndaj Trump-it. Kjo flet mjaftueshëm për hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e Aleksandar Vuçiqit.
Ai ka të drejtë të shpresojë se nga Trump do të marrë edhe një stilolaps tjetër dhe të ulet në atë të njëjtën stol në Shtëpinë e Bardhë. Dhe asgjë më shumë Serbia nuk mund të marrë nga kjo, aq më pak ndonjë tërheqje të Trump-it nga njohja e pavarësisë së Kosovës, siç shpreson princ Filip Karagjorgjeviç, duke pretenduar se kjo do ta bënte Amerikën kampione të tërheqjes dhe sundimit të së drejtës. As princ Filipi dhe as të gjithë ata serbë nga Amerika, të cilët pretendojnë se janë ata përgjegjës për fitoren e Trump-it në Çikago, përkatësisht në Illinois, ku Kamala Harris në fakt fitoi, nuk mund të ndryshojnë gjë. As nuk do të ndihmojë as “aseti” i madh i Vuçiqit, Richard Grenell, pavarësisht se flitet për disa pozicione të rëndësishme që mund të ketë në administratën e re të Trump-it.
Kështu që ëndrra për rikthimin e Kosovës Serbisë, për mendimin tim personalisht, duket sikur të prisja që gjyshi im i ndjerë të kthehej një ditë.
Ajo që mendoj është se Trump do të insistojë kryesisht në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve dhe përfundimin e dialogut të zgjatur, pa marrë parasysh që Trump ka simpati për vëllezërit populistë, Orban dhe Netanyahu, në përqafimin e të cilëve synon të futet edhe Aleksandar Vuçiq. E sigurt është që nuk do të ketë një ndarje të re apo rrëmbim të territoreve.
Serbia e ka humbur luftën dhe Kosova është një shtet i pavarur, dhe administrata e Trump-it, me Grenellin apo pa të, sigurisht nuk do të ndryshojë politikën ndaj Kosovës dhe nuk do të lejojë një kaos të ri në Ballkan. Pyetja me të cilën mund të përballet Vuçiq është marrëdhënia e tij vëllazërore me “vëllain” Xi Jinping, që lidhet me frontin kundër Kinës, të cilit Trump i përmbahet.
Në fund, është e njohur se njerëzit nga këto rajone paguajnë shtrenjtë për iluzionet e tyre, dhe pritjet janë të mëdha. Prandaj përshëndetja më e re në Serbi, në vend të “Pomaže Bog” dhe “Bog ti pomogao,” tani është “Pomozi Tramp — Tramp ti pomogao.”
Sa do të ndihmojë kjo, do të vendoset kryesisht nga interesat dhe politika e biznesit amerikan, pa marrë parasysh faktin që Serbia ia dha dhëndrit Kushner dhe Ivanka-s një kompleks të tërë të Shtabit të Përgjithshëm për të ndërtuar hotele luksoze. Rastësi — jo, hm?