Qytetarët e Kosovës të dielën iu drejtohen kutive të votimit, për herën e tretë këtë vit. Në 19 komuna të cilat kanë shkuar në balotazh, qytetarët do t’i zgjedhin kryetarët për katër vitet e ardhshme.
Sot në orën 7 pritet të hapen gjithsej 1 777 vendvotime, në 614 qendra të votimit. Të drejtë vote në këtë garë kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues.
Në raundin e dytë, numri i përgjithshëm i vëzhguesve është mbi 12 mijë, nga përfaqësues të subjektet politike, ambasadat e akredituar në Kosovë, organizata joqeveritare si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian.
Krahas organizmit të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar në 19 komuna, të dielën mbahet dhe rivotimi për kryetar të komunës së Parteshit. KQZ vendosi t’i përsërisë zgjedhjet në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, shkaku i parregullsive.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka thënë e janë bërë të gjitha planifikimet operacionale për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë procesit zgjedhor të balotazhit.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në 9, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna, kurse Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga një komunë.
Kurse, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës, një komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, sikurse Aleanca Kosova e Re, NISMA dhe Alternativa. Kurse, Lista Serbe ka fituar 9 komuna.
KQZ ka bërë të ditur se gjatë ditës së shtunë ka shpërndarë materialin e ndjeshëm zgjedhor, fletëvotimet dhe materialin tjetër përcjellës nga depoja qendrore e Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve për në depot e komisioneve komunale të zgjedhjeve, ku do të ketë votime.