Familja pesë anëtarësh e Milazim Bërbatovcit nga fshati Dardhishtë e komunës së Obiliqit vendosi gurthemelin e shtëpisë së re, falë komunës së Obiliqit dhe një donatori, i cili dëshiron të jetë anonim.
Kjo familje e cila deri më tash ka jetuar në kushte të mjerueshme, sipas kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashit është vlerësuar si familja me më së shumti nevojë që t’i ndihmohet për ndërtimin e shtëpisë.
“Deri më tash gjatë mandatit tim janë ndërtuar nëntë (9) shtëpi. Komuna e Obiliqit, bashkë me hoxhën e fshatit, edhe një donator që ka dashur të jetë anonim për arsyet e tij, kemi bërë vlerësimin që Milazimit të ia ndërtojmë një shtëpi. Komuna ka kontribuar në proceset teknike, dhënien e lejes dhe këto gjërat të cilat i ndihmojnë procesit të ndërtimit të shtëpisë”, ka thënë Gashi.
Pranë Gashit qëndronte i lumtur krye familjari Milazim Bërbatovci, i cili falënderoi donatorin dhe komunën e Obiliqit.
“Faleminderit prej kryetarit, edhe atij donatorit që po do me mbet anonim, kemi pasur nevojë për një shtëpi”, ka thënë nën emocioni Bërbatovci.
Gurthemelin e kësaj shtëpie e përkrahu edhe Hoxha i fshatit Dardhishtë, i cili bashkë me kryetarin Gashi, vunë materialin e parë për të ndërtuar këtë shtëpi.