Familjarët e viktimave të luftës përkrahin nismën për formimin e Tribunalit për krimet serbe

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 08:04 | Nga Ekonomia Online

Nisma e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka gjetur mbështetjen e përfaqësuesve të shoqatave të të pagjeturve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera të pavarura.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën me përfaqësues të këtyre institucioneve, Veseli ka thënë se kriminelët serbë ende nuk janë gjykuar për mijëra krime dhe viktima në Kosovë. I ka siguruar të pranishmit se Tribunali do të jetësohet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për dallim nga të pranishmit e tjerë, deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujveci, ka thënë se Kosova duhet ta themelojë një gjykatë të brendshme dhe jo Tribunal ndërkombëtar.

Para të pranishmëve, në sallën kryesore, ku zakonisht mbahen seancat plenare, Veseli ka thënë se po flasin për një Gjykatë ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, që do të gjykohen në mënyrë të paanshme.

Të ngjashme