Familjarët në Kosovë dyshojnë se 7 vjeçari mund të jetë vrarë për arsye raciste

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

Një ditë më parë, derisa po kthehej nga shkolla i vetëm, 7-vjeçari nga Lipjani, Ilias Mahmuti, u vra mizorisht në Bazel të Zvicrës. Një grua 75-vjeçare e preu atë në fyt me thikë. Ajo më pas e lajmëroi policinë për rastin dhe e pranoi fajësinë para organeve të drejtësisë. Trupi i pajetë i miturit, që do të kthehet në Kosovë për t’u varrosur, është ende në obduksion. Express ka qëndruar sot në Gjilan dhe Lipjan nga ku familjarët e të miturit kanë folur për tragjedinë që u ka ndodhur. Xhaxhai i Valon Mahmutit, babait të viktimës duke folur për gazetën la të kuptohet se rasti mund të ketë të bëjë edhe me racizëm.

Familja Mahmuti, nga fshati Bregu i Zi i Lipjanit, si dhe ajo Xhemaili nga Gjilani, u tronditën kur morën vesh lajmin se nipi i tyre, Iliasi, ishte vrarë me thikë në fyt nga një grua 75-vjeçare, derisa po kthehej nga shkolla në Bazel të Zvicrës.

Për 7-vjeçarin, i cili u vra mizorisht, shkruajtën edhe mediat më të mëdha botërore. Familja tashmë është duke bërë përgatitjet për të pritur trupin e pajetë dhe për t’i kryer procedurat e varrimit.

Ilias Mahmuti qe u vra ne Zvicer

Deri më tani atyre u është thënë se bëhet fjalë për një plakë e cila dyshohet se ka probleme psikike, ndërkaq një burim tjetër ka thënë, për Express, se e njëjta e kishte vrarë djalin me thikën me të cilën ishte duke ngrënë bukë në një restorant në cep të rrugës ku ndodhi rasti.

Rrëfimi nga Gjilani – si e morën vesh familja Xhemaili lajmin

Këtë të hënë, pas një pushimi dy javor në Gjilan, familja Mahmuti u nisën për në Zvicër, aty ku Valoni (babai i 7 vjecarit të vrarë), jetonte së bashku me gruan Samirën dhe të dy djemtë.

Por, po atë ditë, Samira u sëmurë dhe kështu u shtri në spital. Për këtë, të dy fëmijët mbetën në përkujdesjen e të atit.

Njëjtë kishte ndodhur edhe të enjten, herët në mëngjes. 7-vjeçari, Elias Mahmuti, që këtë vit kishte filluar klasën e parë, pak para se të nisej për në shkollë e kishte telefonuar të ëmën e sëmurë për t’i treguar se çka kishte veshur, duke i premtuar se do ta vizitonte sapo ta kryente mësimin.

Familja ne Gjilan

Por, e enjtja ishte e kobshme për familjen Mahmuti pasi Iliasi djali i tyre 7 vjecar duke u kthyer nga shkolla u përgjak nga duart e një 75-vjeçareje, e cila e theri atë me thikë në fyt në mes të rrugës. Fëmija ndërroi jetë në spital pak minuta më vonë.

Gjyshërit e Iliasit (nga nëna), Zaimi dhe Ajshja, që jetojnë në Gjilan, sot gjatë ditës, në një bisedë për Gazetën Express, kanë rrëfyer krejt mënyrën se si morën vesh për rastin.

Mes lotësh, të tronditur, ende nuk po mund të besojnë se nipi i tyre, që e përcollën pak ditë më parë për në mërgim, nuk është më, e aq më pak për mënyrën e tmerrshme se si ai kishte ndërruar jetë.

Familja ne Gjilan

“Dje në mëngjes ish çu djali për në shkollë me shku, e ish veshë, ja kish marrë babës së vet telefonit e ka thirr nanën e vet i ka thanë mam kshyrëm a jam vesh mirë se jam tu shku në shkollë, ajo me dhimbje të vet mos me pa djali, i ka than shumë mirë mami, tash a të ka kalu ka pyet ai kur ki me u kthy te shpia”, rrëfen Ajshe Xhemaili, duke treguar se pas kësaj bisede djali ishte nisur për në shkollë, e ky ishte komunikimi i fundit që prindërit kishin pasur me të.

 Pas kësaj, djali i përcjellë nga babai i tij, Valoni do të shkonte për në shkollë, e prindërit për të pas disa orësh dëgjuan nga policia, pasi të njëjtin veçse e kishin dërguar me plagë të rënda për në spital.

Derisa 7-vjeçari po kthehej nga shkolla, në rrugën që përshkonte çdo ditë, u sulmua nga një grua 75-vjeçare, e cila pasi që goditi të miturin me thikë u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Familjarët u shqetësuan nga vonesa e djalit e kështu lajmëruan mësuesen e tij për të pyetur se a ishte kryer orari. Pikërisht mësuesja është ajo që, sipas mediave zvicerane, e ka gjetur e para djalin e plagosur rëndë.

Prindërit morën edhe mesazhin, por jo ashtu siç kishte ndodhur rasti, atyre iu tha se djalin e kishte goditur një veturë, e kështu e kishin futur në operacion urgjentisht.

 Nëna e djalit, Samira, që ishte vetë e shtrirë në spital, u dërgua menjëherë para sallës ku po mbahej operacioni i 7-vjeçarit, e pak minuta më vonë asaj ia kumtuan lajmin – djali nuk kishte mundur t’u mbijetonte plagëve.

 Njëjtë siç edhe ka deklaruar Samira Xhemaili për “Blick”, edhe familjarët po thonë se asnjëherë në jetë nuk kishin problem me askënd, aq më pak me një grua të moshuar.

Samira Xhemaili ne vendin ku ju vra djali

 Në kohën kur Express po qëndronte në familjen Xhemaili në Gjilan, familjarët e të ndjerit kishin shkuar për të parë trupit e pajetë, ndërkaq iu ishte kumtuar se gruaja që kreu veprën makabër kishte probleme të rënda shëndetësore të natyrës psikike, e për veprën kishte rrëfyer para organeve të rendit në Zvicër.

Madje siç thuhet plaka u kishte dërguar vet sms organeve të rendit për t’u treguar për aktin që kishte kryer.

Trupi i pajetë i 7-vjeçarit Ilias Mahmuti do të kthehet në Kosovë sapo të përfundojnë të gjitha procedurat, ndërkaq varrimi i tij do të bëhet në Gjilan, ashtu siç kanë kërkuar gjyshërit, te të cilët gjithmonë ai i kishte kaluar pushimet.

 Rrëfimi i familjarëve të 7-vjeçarit në Lipjan

 Në fshatin e babait të 7-vjeçarit të ndjerë, në Breg të Zi të Lipjanit, të premten po prisnin njerëz që niseshin për ngushëllime. Atyre iu ishte thënë se afër vendit ku u vra Iliasi, ishte një vend për të ngrënë, nga ku edhe doli gruaja e cila kreu veprën makabër.

Këta të fundit madje po thonë se edhe thika me të cilën u krye vrasja u mor nga aty, megjithëse deri më tani këto janë vetëm fjalë që kanë marrë nga familjarët, pa konfirmim.

Familja ne Lipjan

Xhaxhai i Valonit, Skender Mahmuti, thotë se janë informuar nga familjarët që i kanë në Zvicër për rastin tragjik.

 “Informatat i kam marrë nga djali, djali ka shku në shkollë, ka u kthy prej shkollës, një grua 75-vjeçare me thikë e ka pre te arteria në vesh, ka ikë njëherë pastaj u shku u paraqit në polici”, po thotë ai, duke shtuar se djali ka qenë një fëmijë shumë i urtë.

 “Gjeneratat e vjetra të zviceranëve nuk i donë shumë njerëzit që vijnë prej vendeve të tjera”, deklarohet ai, duke thënë që mësuesi e gjeti të mbuluar me gjak në mes të rrugës.

Familja ne Lipjan

Këta po shtojnë se Bashkësia Islame në Zvicër ka marrë përsipër shpenzimet e varrimit, duke thënë se njëherë iu ishte thënë se trupi do të vinte për në Kosovë nesër, por nuk kanë asgjë të konfirmuar deri më tash.

Çka dihet deri më tani për këtë rast?

Vrasja në mes të rrugës në qytetin e Bazelit ka marrë vëmendjen e të gjitha mediave më të mëdha botërore.

 U shkrua për një akt makabër të kryer nga një grua 75-vjeçare, e cila pak orë më vonë do të lajmëronte përmes një SMS organet e rendit për krimin, e pastaj do të jepte rrëfimin e saj edhe para prokurorit.

Sot në vend të ngjarjes dolën edhe prindërit e Iliasit, ndërkaq, persona të shumtë në atë vend kanë vendosur gjatë ditës lule e kanë ndezur qirinj. Vepra gjithashtu ka ngjallur ankth e frikë te fëmijët e tjerë dhe te prindërit e atij vendi.

Sipas informacioneve që janë bërë të ditura deri më tani kryesja e krimit nuk e kishte njohur as viktimën e as familjen e tij.

Momentalisht është duke u bërë ekzaminimi psikiatrik për të kuptuar se a ka pasur probleme mendore, ashtu siç po dyshohet.

Të ngjashme