Oda e Farmacistëve të Kosovës në nder të 25 Shtatorit, Ditës Botërore të Farmacistit ka mbajtur konferencë për shtyp me të cilin janë adresuar shqetësimet kryesore të këtij sektori, raporton Ekonomia Online.
Arianit Jakupi nga shoqata e farmacistëve tha se ekzistenca e këtij profesioni dita ditës po vështirësohet.
“Sot është 25 shtator Dita Botërore e Farmacistit dhe në kushte më normale sot do të duhet të festonim. Por në vend të kësaj ne nuk kemi pasur rrugë tjetër përpos që të adresojmë shqetësimet tona të sektorit që dita ditës vetëm sa po e vështirësojnë ekzistencën e këtij profesioni”, tha Jakupi.
Ai ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës.
“Veprimet që po ndodhin po pengojnë përmirësimin e situatës apo kalimin në reformat ë tjera drejt zhvillimit. Kjo po bënë që farmacistët jo vetëm në barnatore por edhe në spitale të mos mund të japin kontributin e tyre profesional që mbajnë licencën e punës. Kërkesat tona janë injoruar nga institucionet tona.
“Pas adresimit të këtyre ankesave ne ishim në pritje të ministrit të shëndetësisë për krijim të komisionit të ri që do të vazhdonte punën aty ku kishte mbetur. Ky veprim as sot kur po flasim nuk është marrë nga ministri i shëndetësisë”, deklaroi Jakupi, raporton eo.
Disa nga kërkesat e farmacistëve janë rregullimin e profesionit që fillon nga nivelizimi i çmimeve të barnave, zbatimin e recetës për barna, rregullimin e numrit të barnatoreve sipas kritereve gjeografike, demografike dhe zbatimin e plotë të praktikave të mira të farmacisë, kufizimin e pronësisë së barnatoreve vetëm në ata që kanë licencë për ushtrimin e një veprimtarie të tillë (si në shumicën e shteteve në bashkimin europian), funksionalizimin e farmacisë spitalore, rregullimin e procesit të specializimeve për farmacistët e shumë kërkesa tjera që do të sillnin ngritjen e profesionalizmit dhe ofrimin e shërbimeve cilësore në sektorin farmaceutik qoftë në komunitet apo edhe në spital.