Kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri te dita kur qytetarët përmes votës së tyre do të vendosin për qeverinë e re të vendit, subjektet politike po vazhdojnë me fushatën e tyre parazgjedhore nëpër çdo pjesë të vendit.
Gjatë këtyre ditëve, sikurse edhe në fushatat e mëparshme, kemi qenë dëshmitarë të premtimeve të shumta nga ana e subjekteve politike.
Ajo çfarë ka rënë në sy është mbajtja ndaras e tubimeve elektorale nga partnerët e koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Të tri këto subjekte po vazhdojnë fushatën e tyre ndaras për dallim nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, të cilët një gjë të tillë po e bëjnë bashkë.
Analisti Imer Mushkolaj, vlerëson se koalicioni PAN e ka të vështirë të sinkronizohet, sepse sipas tij janë bërë bashkë në momentet e fundit.
“Po ashtu, secila parti brenda këtij koalicioni po përpiqet ta forcojë subjektivitetin e vet, sidomos Nisma”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.
Mushkolaj më tej ka thënë se fatin e koalicionit PDK-AAK-Nisma do ta përcaktojnë rezultatet e zgjedhjeve.
“Bashkë i ka bërë dëshira për pushtet, por ky bashkim mund t’iu hakmerret veç e veç”, u shpreh Mushkolaj.
Në anën tjetër, analisti Arben Ahmeti ka vlerësuar se koalicioni PAN ka për qëllim që të tri subjektet të mbajnë elektoratin që e kanë pasur.
“Kjo mendoj është arsyeja pse po veprojnë veç e veç. Derisa LAA ka nevojë të nxis entuziazmin e elektoratit të pakënaqur andaj dalin bashkë për të krijuar ndjenjën e suksesit”, tha Ahmeti, për Telegrafin.
Kujtojmë 1 milion e 872 mijë e 941 votues do të hedhin votën e tyre në kutitë e votimit të dielën e kësaj jave.