Ekonomia Online
FUNDIT

Fatmir Limaj lirohet nga përgjegjësia komanduese për krime të luftës

Fatmir Limaj lirohet nga përgjegjësia komanduese për krime të luftës

Fatmir Limaj që nga paslufta kaloi nëpër shumë procese gjyqësore në të cilat asnjëherë deri tash nuk u shpall fajtor. Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me të hyrë në politikën e pasluftës së Kosovës arriti të bëhej ndër më të votuarit dhe njëri nga njerëzit kryesorë të Partisë Demokratike të […]

Fatmir Limaj që nga paslufta kaloi nëpër shumë procese gjyqësore në të cilat asnjëherë deri tash nuk u shpall fajtor.

Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili me të hyrë në politikën e pasluftës së Kosovës arriti të bëhej ndër më të votuarit dhe njëri nga njerëzit kryesorë të Partisë Demokratike të Kosovës, gjysmën e rreth 19 vjetëve të pasluftës i kaloi në procese gjyqësore.

Ish-komandant “Çeliku” u gjykua për krime të luftës nga Gjykata e Hagës dhe gjykatat në Kosovë dhe për korrupsion nga EULEX-i, u gjykua po ashtu nga Prokuroria Speciale e Kosovës, por  në fund arriti që të shpallej i pafajshëm në të gjitha këto procese gjyqësore.

Limaj,  nga çlirimi i Kosovës e deri më sot, i kaloi 3 vjet të jetës së tij i përfshirë  në procesin e Hagës për krime të luftës, rreth 8 vjet i kushtoi procesi hetimor e gjykimi për kohën sa ishte ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, rreth katër vjet ishte i përfshirë  në rastin e njohur si “Kleçka” ndërsa në rastin e fundit i njohur si “Bellanica”, nga koha e ngritjes së aktakuzës e deri në shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, Limaj i kaloi rreth dy vjet i përfshirë në këtë proces gjyqësor.

Në të gjitha këto procese maratonike gjyqësore, disa me vendim të formës së prerë e disa ende të vendosura nga vetëm shkalla e parë, Limaj është shpallur i pafajshëm.

Akuzat për Krime të Luftës mbi “Çelikun”

Përvoja e parë e Limajt me gjykatat, filloi në vitin 2003. Në këtë vit, Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi me seli në Hagë të Holandës, ndaj Limajt së bashku me Haradin Balajn dhe Isak Musliun filloi gjykimin në të cilin ish komandant “Çeliku” dhe të akuzuarit e tjerë ngarkoheshin për krime të luftës ndaj popullsisë civile.

Në një proces ku u dëgjuan rreth 50 dëshmitarë të mbrojtjes dhe të prokurorisë, Limaj u gjet i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat.

Pafajësia e Limajt në Hagë u rikonfirmua  edhe në vitin 2007 në një proces të rigjykuar nga Tribunali i Hagës që e ndiqte për krime lufte të kryera në Llapushnik të Drenasit. Pasi doli sërish i pafajshëm ai iu rikthye politikës, duke u kthyer triumfalisht në Kosovë.

Megjithatë, pushimi i Limajt nga proceset gjyqësore nuk zgjati shumë, në verën e vitit 2011, Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që siç pretendonte prokurori supozohet të ishin kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti në një qendër të improvizuar paraburgimi të UÇK-së që sipas aktakuzës ndodhej në fshatin Kleçkë të Kosovës.

Të ngjashme