Fejzullahu: Shtrenjtimi i rrymës s’është dëshirë e ZRrE-së, e dikton tregu energjetik

Prishtinë | 25 Mar 2025 | 15:48 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka thënë për Ekonomia Online se rritja e çmimit të rrymës, megjithëse jo me dëshirën e ZRrE-së, është e pashmangshme dhe vjen si pasojë e situatës në tregun energjetik.

Në takimin e organizuar nga AKB-ja ku u diskutua liberalizimi i tregut të energjisë, Fejzullahu la të nënkuptohet se shtrenjtimi i energjisë është i pashmangshëm.

Sipas Fejzullahut, rritja e çmimit lidhet kryesisht me dy faktorë, çmimet e larta të importit të energjisë dhe kostot e shërbimeve ndihmëse.

Ai ka thënë se këto shërbime janë të domosdoshme për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pasi përfshijnë gjeneratorët që qëndrojnë në gatishmëri për të mbuluar humbjet që mund të ndodhin kur termocentralet Kosova A dhe B dalin jashtë funksioni.

Kostot e këtyre shërbimeve sipas tij arrijnë në mbi 40 milionë euro dhe “janë një barrë e rëndë për sistemin energjetik të Kosovës”.

“ZRrE ka parë një raport, ai është një vlerësim profesional i stafit të ZRrE-së që shihet mesatarisht, bile thotë që tarifa është mesatare. Mund të ketë kategori të tjera të konsumatorëve që të kenë barrën më të mëdha të kësaj. Kjo është nevoja për të reflektuar një pjesë të importit që është importuar në vitin e kaluar dhe nevoja për vitin e ardhshëm. Kryesisht dy kompetentet kryesore janë çmimet e importit dhe kostot e rezervave, ndoshta disa e kanë keqkuptuar se çka është shërbimet ndihmëse, ato janë shërbime ose ai gjeneratori që qëndron në gatishmëri për me na furnizuar kurdo që Kosova B ose A del nga sistemi me e zëvendësuar atë energji, dhe atë kosto meqenëse është bërë mediatike ajo është kosto e shërbimit ndihmëse që është rreth mbi 40 milionë euro, vetëm për arsye që mos me pasur ndërprerje kurdo që të del jashtë sistemit”, ka thënë Fejzullahu.

Ndonëse paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike po kundërshtohen nga qytetarët, kryetari i Bordit të ZRrE-së ka thënë se kjo nuk po bëhet me dëshirë.  

“Mos e konsideroni që ZRrE po ka dëshirë me i rrit çmimet e energjisë elektrike por këto janë mundësitë në treg. Shpresoj që të kemi çmime më të favorshme në vitet e ardhshme, dhe shpresoj që të kemi kapacitete gjeneruese vendore dhe mos të kemi nevojë për importim të energjisë, dhe shpresojmë që këto biznese do të shikojnë mundësinë me investuar në kapacitete shtesë që do të na ndihmojnë për me pasur çmime sa më të favorshme për konsumatorët tonë”, ka thënë Fejzullahu. /Ekonomia Online

Të ngjashme