Si nënë e një adoleshenteje, nënë në kohët e teknologjisë moderne, në këto vitet e fundit kam lexuar dhe kërkuar materiale nga më të ndryshmet mbi përdorimin e kompjuterit, telefonit, Playstation, rrjetet sociale. Sot besoj se jo vetëm unë, por shumë prindër ndodhen në situata, kur fëmijët e teknologjisë apo tech-kiddos, i njohin shumë më mirë se ne prindërit përdorimin dhe funksionet e mjeteve elektronike. Mes miqve tanë dëgjojmë thuajse të njëjtat shqetësime:
”Nuk e di se çfarë të bëj më”.
”Nuk e kuptoj fare vajzën apo djalin”.
”Kanë qenë kohë të tjera”.
”Këtë mënyrë jetese e sjelljeje të tyre nuk e kuptoj fare”.
E pikërisht, meqenëse jam shpesh e rrethuar me njerëz, të cilët merren pak a shumë me profesionin tim, gjithmonë kam pyetur për këshilla, mendime, ide ndryshe dhe sot, këto këshilla, njohuri që kam marrë nga burime të ndryshme, vendosa t’i ndaj me ju, pasi si nënë i kuptoj shqetësimet e prindërve në lidhje me këtë sfidë të kohëve moderne.
Disa prindër u kufizojnë fëmjëve kohën e përdorimit të mjeteve elektronike, disa nuk vendosin limite, disa të tjerë përdorin ”kontrollin prindëror” për të kufizuar kohën e tyre para kompjuterit, televizorit, disa nuk e shohin të nevojshme pasi u besojnë fëmijëve të tyre, disa përdorin metodën e dënimit, sidomos kur fëmijët marrin nota të këqija apo kur fëmija bën ndonjë gabim, dikush tjetër ka gjetur mënyra të tjera.
Disa fajësojnë teknologjinë, gjithësesi një gjë që duhet të mos e harrojmë si të rritur është që problemi kryesor nuk është vetë teknologjia apo zhvillimi i kohëve moderne. Në një artikull para disa muajsh vetë një adoleshent shkruante, “Nëse e besoni që problemi i asaj se me çfarë merren adoleshentët online është një problem teknologjik, atëhere ende nuk keni kuptuar një të vërtetë jetike. Teknologjia nuk i detyron adoleshentët të bëjnë apo të mos bëjnë disa gjëra. Adoleshentët janë përgjegjës për jetën e tyre”.
Personalisht jam shumë dakord me mendimin më sipër, pasi t’i mësojmë adoleshentët si të menaxhojnë sjelljet e tyre online, si të menaxhojnë kohën në kohët dixhitale në fakt është një çështje e sjelljes dhe jo çështje teknologjie. Nëse ne si prindër nuk do të fokusoheshim aq shumë duke e parë teknologjinë si problem, por tek menaxhimi i sjelljes së adoleshentëve, jam e sigurt që edhe teknologjinë do ta trajtonim si një sfidë mes sfidave të tjera që kemi si prindër gjatë procesit të edukimit të fëmijëve.
Ndoshta edhe vënia nën kontroll e kësaj vale teknologjike apo “prindërimi dixhital” mund të jetë një nga sfidat apo temat me të cilat janë ndeshur edhe më herët, pavarësisht se cila ka qenë ajo. Pra, ndoshta ka të bëjë më shumë me vlerat që u mësojmë fëmijëve tanë, me aftësitë e ndryshme që duhet të zhvillojnë, me vendosjen e kufijve, me forcimin e besimit tek vetja por mbi të gjitha me marrjen e përgjegjësive për veprimet dhe sjelljet e tyre.
Më poshtë janë së bashku disa këshilla të ndryshme të marra nga ekspertë të ndryshëm. Merrni ato që mendoni se ju përshtaten.
Më poshtë janë disa nga dëmet kryesore që sjell varësia ndaj mjeteve elektronike.
Në një shkrim para disa kohësh nga një psikolog, shkrim i cili nuk kishte lidhje me teknologjinë, kam lexuar që në realitet, ashtu si edhe dikur, edhe sot ka rreziqe që kërcënojnë familjen dhe të dashurit tanë, si brenda apo jashtë familjes.
Sot mund të them që falë teknologjisë nuk ka qenë kurrë më e lehtë se në ditët e sotme që këto rreziqe të kenë qasje brenda shtëpive tona, veçanërisht tek fëmijët tanë.
Ne si prindër kemi detyrën të mbrojmë me vigjilencë familjet dhe fëmijët tanë dhe shpesh kjo vigjilencë, si në kohët e luftërave kërkon mbrojtje dhe sulm. Mbrojtja në këtë rast është marrja e masave për të forcuar komunikimin, marrëdhëniet, pra forcimi i vetë familjes nga brenda në mënyrë që të përballojë sa më mirë sulmet apo presionet nga jashtë, për të qenë sa më të pregatitur për të qëndruar sa më larg dhe për t’ju rezistuar këtyre “sulmeve” nga jashtë. Për një familje të shëndetshme këto janë strategjitë më të mira, pasi ashtu si e kam theksuar shpesh herë, asnjë sukses nuk është rastësi, edhe edukimi i fëmijëve të shëndetshëm është më shumë i mundshëm në një familje që di t’i përshtasë strategjitë në çdo kohë.
A ka gjithmonë sukses?
Natyrisht nuk ka asnjëherë formula që vlejnë për të gjithë. Merrni gjithmonë nga kushdo ato receta apo formula që i përshtaten karakterit tuaj, familjes suaj, mënyrës tuaj të jetesës dhe mos harroni asnjëherë; ju si prindër edhe sot po bëni një punë fantastike, po bëni më të mirën që mendoni brenda mundësive dhe njohurive tuaja. (businessmag.al)