Në sheshin “Ibrahim Rugova në Prishtinë është mbajtur Panairi Humanitar, i organizuar nga Teach For Kosova në bashkëpunim me Anglia Summer School, ku fëmijët prezantuan dhe shitën punime qeramike dhe krijime artistike të realizuara gjatë kampit veror, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, të gjitha mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre punimeve do të dërgohen në një shkollë për të blerë mjete shkollore të nevojshme për fëmijët në nevojë.
Mësuesja e Anglia Summer School, Gentiana Vrajolli, tha se shkolla ka 20 vjet përvojë në organizimin e shkollave verore në Prishtinë dhe se këtë vit synimi ka qenë që, përveç aktiviteteve edukative, fëmijët të përfshihen edhe në një nismë me ndikim në shoqëri.
“Si çdo vit tash, 20 vite kemi eksperiencë të shkollave verore që organizohemi çdo vit në Prishtinë. Njëra prej viteve kemi dashur që me kriju diçka, një ndikim pak më ndryshe në shoqërinë civile dhe me i leju edhe fëmijët e vegjël të gjitha moshave, prej 4 deri në 15 vjet, me ndier nevojën për me i ndihmuar fëmijëve të tjerë, ndoshta me më shumë nevojë që kanë”, tha Vrajolli.
Ajo bëri të ditur se aktiviteti është organizuar në bashkëpunim me Teach For Kosova dhe se të gjitha mjetet e grumbulluara nga shitja e punimeve do të dedikohen për mbështetjen e fëmijëve në nevojë.
“Për atë arsye, në bashkëpunim me Teach For Kosova, një organizatë joqeveritare këtu në Kosovë, kemi organizuar një aktivitet të lirë në sheshin e Prishtinës, ku fëmijët do të shesin punimet e tyre dhe me të hollat që do të mblidhen prej atyre punimeve, do të dërgohen menjëherë në një shkollë publike, të cilat do të shfrytëzohen për mjete shkollore që janë më të nevojshme për fëmijët në nevojë”, tha ajo.
Ndërsa, njëra nga fëmijët pjesëmarrës tha se përmes këtij aktiviteti synojnë të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre në shkollat që kanë më pak kushte.
“Anglia Summer School është një kamp që ka vazhduar për 20 vjet. Ka të bëjë me argëtimin, por ne jemi këtu sot sepse ka fëmijë në Kosovë që janë në shkolla me më pak mundësi. Ne jemi këtu për t’i dhuruar paratë që kemi mbledhur, në mënyrë që t’i ndihmojmë të blejnë tavolina, karrige dhe dërrasa të zeza, kështu që edhe ata ta kenë mundësinë më të mirë për të mësuar në shkollë”, tha ajo.


