Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Fehmi Ferati, i njohur si Fehi, ka hedhur poshtë rezultatin e ‘exit poll’-it të zgjedhjeve lokale, të realizuar nga instituti “Gani Bobi”.
Sipas këtij sondazhi, të realizuar me qytetarë pas votimit, Ferati ka dalë i katërti.
Në vend të parë, sipas ‘exit poll’-it, ka dalë Valdete Idrizi e PDK-së, e ndjekur nga Agim Bahtiri i AKR-së dhe Safet Kamberi i LDK-së.
“Exit poll-ët nuk janë gjithnjë të saktë”, ka thënë Ferati në Klan Kosova.
Ai ka kujtuar se Vetëvendosje kishte dalë e para në Mitrovicë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ndërsa tani, sipas tij, është e pakuptimtë që ai të renditet i katërti.
Ferati ka thënë se dyshon se në Mitrovicë ka pasur blerje të votave.
“Edhe AKR, edhe PDK kanë intensifikuar blerjen e votave – në lagjet e varfra dhe në bastione”.
“Përderisa KQZ nuk e publikon rezultatin, të tjerat janë supozime”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se nëse KQZ e konfirmon atë të katërtin, atëherë, sipas tij, zyrtarizohet keqpërdorimi në Mitrovicë.