Ferizaj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in për furnizimin e fermerëve me fidanë të dredhëzës industriale

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 16:03 | Nga

Gjatë ditës së sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me përfaqësuesit e USAID dhe partnerin strategjik “Agrium” shpk. për furnizimin e fermerëve me fidanë të dredhëzës industriale të llojit senga sengana për mbjelljen e 4 hektarëve.

Kjo marrëveshje është vazhdimësi e përmbushjes së zotimit të Aliut për të mbështetur bujqit dhe fermerët ferizajas. Ai u shpreh falënderues për popullin amerikan për mbështetjen që po i japin Komunës së Ferizajt, përmes projekteve të ndryshme të përkrahura nga USAID-i.

Edhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami falënderoi përfaqësuesit e USAID dhe “Agrium” shpk për mbështetjen, duke u shprehur se investimi në këtë kulturë, është investim në fuqizimin e bujqësisë lokale dhe rritjen e prodhimtarisë, rrjedhimisht rritjen e mirëqenies së kultivuesve të dredhëzës dhe konkurrueshmërisë në tregun vendor e të huaj. Ai më tutje tha se projekte të ngjashme do të realizohen edhe në segmente të tjera të bujqësisë.

Përzgjedhja e përfituesve të fidanëve të dredhëzës industriale do të bëhet nga Komuna e Ferizajt, gjegjësisht nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në bashkëpunim me “Agrium”, e cila edhe do të ndihmoj fermerët me folinë plastike dhe sistemin e ujitjes pikë pikë kurse USAID dhe “Agrium” do të sigurojnë fidanët.

Të ngjashme