Drejtoria komunale e arsimit në Ferizaj, ka bërë publike konkursin për mësimdhënës për shkollat e mesme të larta për vitin shkollor 2016-2017.
Sipas drejtorit të Arsimit, Muhamet Halilit, konkursi është shpallur për shkollat e mesme dhe janë te theksuara vetëm dy profile matematikë dhe informatike.
“Profilet tjera janë të mbuluar me kuadër profesional në bazë të normativit ku Ministria e arsimit e ka përcaktuar dhe ne jemi të obliguar që ta respektojmë. Ndërsa sa i përket arsimin fillor e kemi të mbuluar më kuadër profesional në të gjitha shkollat, ndërsa tash po ndodh edhe zvogëlimi i paraleleve në viset rurale ku kemi edhe teprica teknologjike në numër të orëve, nëse i ka pas 20 orë tani i ka 18 ose 15 për shkak të zvogëlimit të paraleleve. Për shkollat fillore i gjithë kuadri në shkollimin fillor është i kualifikuar në bazë të normativit dhe nuk kemi asnjë vend të lirë për të shpallur në afat të rregullte, kurse gjatë procesit nëse do të kemi kërkesa për pushim të lehonisë ose mjekësorë ne do t’i bëjmë publike konkurset”, ka thënë Halili.
Me tej, ai ka shtuar se konkursi për mësimdhënës është shpallur pas regjistrimit të nxënësve nëpër shkollat e mesme.
“Pas regjistrimit që është kryer në bazë të afatit që ka qenë i përcaktuar nga MASHT-i, ne kemi pasur mundësinë e saktë të vendeve të lira që janë nëpër shkollat e mesme qoftë në gjimnaz, por edhe në shkollat tjera profesionale”, është shprehur Halili.
Konkursi për mësimdhënie për shkollat e mesme të larta për vitin shkollor 2016-2017, do të jetë i hapur deri me 5 gusht për të gjitha ata mësimdhënës që i plotësojnë kriteret në bazë të normativit ku mund të konkurrojnë dhe ti nënshtrohen edhe intervistës.