Mbjellja e lulediellit po rikthehet në arat e Kosovës, si kulturë bujqësore me rëndësi për prodhimin vendor dhe uljen e importit. Familja Sejdiu nga Podujeva ka mbjellë rreth 130 hektarë me këtë kulturë, duke synuar rendiment dhe cilësi më të lartë. Ekspertët thonë se përveç sigurimit të lëndës së parë për vaj ushqimor, luledielli ndihmon edhe në qarkullimin e kulturave dhe ruajtjen e cilësisë së tokës.
Aplikimi i këshillave agro-ekonomike dhe përkushtimi për t’u marrë me kultura bujqësore mundëson zhvillimin e vendit. Familja Sejdiu nga Podujeva merret edhe me mbjellje të lulediellit, që po rikthehet në arat e vendit si lëndë e parë për prodhim të vajit për ushqim, shkruan RTK.
“Ekonomia e vendit ka nevojë imediate sepse ka një traditë në Kosovë sepse dikur ma herët qoftë me mbjelljen e lule diellit, qoftë me mbjelljen e kolzës dhe rafinohej i tërë prodhimi final në fabrikën e vajit në Ferizaj. Kështu diçka duhet të bëhet në të ardhmen sepse e ka shumë probleme që e kanë kap shoqërinë”, tha Imer Rusinovci – Profesor universitar.
Ndërrimi i parcelave me kultura mbjellëse është i shëndetshëm si për cilësi edhe për sasi thotë, Korab Sejdiu.
“Na kemi dy tre vende po presim pak të shikojmë kush po na ofron një çmim pak më të mirë për arsye se na kemi shumë. Hapësira e mbjellur me lule dielli është rreth 120 deri 130 kemi edhe në Prizren të mbjellur edhe këtu”, tha Korab Sejdiu – fermer.
Është kulturë ideale që ndikon në qarkullimin bimor ndërsa lodhja e tokës me dukurinë e monokulturës riparohet me ndërrimin e kulturave bujqësore, shton profesor Rusinovci.
“Dhe këto prodhime siç është lule dielli që është në ngastrat në Komunën e Podujevës siç është pangjar sheqeri, kolza dhe duhani kanë pasur traditë të mirë në Kosovë, sepse punëson një numër të madh të punëtorëve dhe zgjidh shumë probleme përveç sigurimit të ushqimit”, tha Imer Rusinovci – profesor universitar.
Cilësia e prodhimit është superiore, si asnjëherë më parë, nënvizon fermeri Sejdiu.
“E kemi punuar, e kemi plehëruar të gjitha edhe qysh na ka thanë edhe profa vetë qashtu qysh na rekomandon ky qashtu edhe ne punojmë nuk kemi dështuar asnjëherë deri tash”, tha Korab Sejdiu – fermer.
Shembujt e mirë duhet të përkrahen, ndërsa përmes bashkëpunimit krijohet stabilitet në bujqësi i cili i kontribuon uljes së shifrave të importit.