FES mban event vetëdijesues për kancerin e gjirit dhe rëndësinë e kontrolleve të hershme

Prishtinë | 11 Tet 2024 | 21:07 | Nga Ekonomia Online

Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES), mbrëmjen e së premtes, ka organizuar event vetëdijësues për rëndësinë e kontrolleve të hershme për kancerin e gjirit, raporton Ekonomia Online.

Eventi filloi me interpretimin e disa historive të grave te cilat janë prekur dhe ballafaquar me kancer të gjirit, ndërsa të pranishmit ndanë eksperiencat e tyre.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se në Kosovë fatkeqësisht është rritur numri i rasteve me kancer të gjirit.

Mirëpo, ai ka thënë se tani janë më profesionalë në trajtimin e kësaj sëmundje.

“Është një ndjenjë jo e mirë, por ne duhet të bëjmë më të mirën. Ne këtu në Kosovë përdorim disa metoda, disa bashkëbisedime me pacientë dhe marrim guximin për ta treguar problematikën. Në fillim e kemi pasur shumë vështirë por sot jemi më profesionalë dhe emocionet mbesin në anën tjetër, duke respektuar etikën. Pacientët lidhen me mjekët dhe kjo bën që të punojmë sa me shumë”.

“Fatkeqësisht numri në Kosovë është duke u rritur, sot kam takuar një vajzë të re 27 vjeçare, pas ekzaminimit, është e dyshuar për kancer të gjirit dhe nuk ka bërë asnjë kontroll. Kohëve te fundit kemi një trend të rritjes se zbulimit te kancerit të gjirit”, ka thënë Kurteshi.

Sibel Halimi, nga Komuna e Prishtinës ka deklaruar se në sistemin e shoqërisë patriarkale trupi i gruas është më së paku i tyre, dhe se “duke mos qenë vetja e kanë të vështirë edhe t’i diagnostikojnë”.

“Vajzat tona gjatë rritjes ndihen të huaja në trupin e tyre, në momentin qe ndihesh e tillë e ke vështirë dhe ta kuptosh atë. Për mua është e rëndësishme, ne duhet të merremi me dashurinë e trupit. Natyrisht që në shoqëritë patriarkale trupi i gruas shihet si trup i huaj dhe jo tyre, gratë dhe vajzat shihen konfuze të trupit të tyre. Duke mos qenë vetja e kanë të vështirë edhe t’i diagnostikojnë. Në sistemin e shoqërisë patriakate trupi i gruas është më së paku i tyre”, ka deklaruar Halimi.

Ndërsa, regjisori Fatos Berisha, ka treguar përvojën personale të tij, ku gruaja e tij, Vjosa Berisha është prekur me kancer.

“Nuk e di se kur ka ndodh sëmundja e Vjosës, por për neve ka qenë me rendësi beteja kundër sëmundjes. Ajo ka qenë me rëndësi për të dhe për neve, pastaj lajmi ka qenë spontanisht kemi qenë bashkë në emision, ajo e rrojti kokën dhe vendosi ta tregojë në televizion. Vetëm dita e parë ka qenë e vështirë kur e kemi kuptuar, pastaj kur vendosëm të nesërmen ta luftojmë atëherë ishte pak më lehtë”, ka thënë Berisha.

Xheraldina Rexhepi, Eksperte e Komunikimit dhe Diplomacisë, e cila ka humbur vajzën e saj nga kanceri, theksoi se është munduar ta jetojë dhe ta shijojë çdo ditë bashkë me vajzën.

Por, ajo theksoi se ka ilaç për çdo lloj kanceri, vetëm duhet diagonistifikimi i hershëm.

“Përvojat më të mira mësohen prej përvojave personale të tjerëve. Sëmundja e kancerit është tronditëse, vjen si cunami është shumë e vështirë edhe për familjen por edhe për personin e prekur. Në momentin që ti e merr atë diagnozë qëllimi i parë si me mund nuk ke kohë me mendu çka ka ndodh. Kanceri është mortja e shekullit 21, mendoj që eksiton ilaçi. E kam përjetuar shume keq kur e kam marrë diagnozën. Unë edhe vajza ime dy muaj kemi bredhur për një diagnozë, kemi shkuar tek mjekët në spitalet e tyre private. Mendoj që mjekët tanë janë shumë të mirë por nuk ka mjete mjekësore”, ka thënë Rexhepi.

Të ngjashme