Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk i ka të ndara festat në bazë të përkatësisë fetare. Për dallim nga Maqedonia e Serbia, shtete këto që festat i ndajnë në baza religjioze, në Kosovë ndodh e kundërta. Në kalendarin festiv festat fetare mbahen nga të gjithë në Kosovë njësoj pa dallim religjioni.
Lidhur me numrin e madh të festave, por edhe me lidhjet që u bëhen atyre me vikendet kanë reaguar partitë politike, analistët dhe ekspertë kushtetues, të cilët kërkojnë riamendamentim të Ligjit për Festat. Sipas ekspertëve juridikë, të vetmit që përfitojnë nga këto data festive janë punëtorët e administratës publike.
Derisa bëjmë një krahasim mes festave të vendeve fqinje, siç janë Shqipëria me 13 festa zyrtare e Maqedonia me 11 të tilla, Kosova feston 11 festa zyrtare në 16 ditë të vitit, për shkak të lidhshmërisë së pushimit mes festave.
Riza Smaka është ekspert i çështjeve kushtetuese dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai thotë se duhet një revidim analitik i Ligjit për Festa.
“Unë nuk jam fetar. Pse atëherë ta festoj edhe Bajramin, edhe Krishtlindjen. Festat e myslimanëve, protestantëve e ortodoksëve janë çështje private. Kosova është shtet laik, vetëm ata që janë fetarë të mos punojnë. Pse p.sh. myslimani të punojë ditën kur janë Krishtlindjet ose anasjelltas?”, ka potencuar Smaka.
Sipas tij, Kuvendi duhet të reduktojë krejtësisht këtë formë të festave zyrtare, sepse siç thotë ai, me këtë lloj të festave zyrtare Kosova është në disfaksion të madh karshi shteteve normale evropiane. (Zeri)