Dorëheqja e kryeministrit armen, Serzh Sarkisian, pas protestave kundër tij, nxiti festime gjatë gjithë natës në Armeni.
Mbështetësit e opozitës e akuzuan atë për monopol në pushtet.
Sarkisian u bë kryeministër javën e kaluar, pas dhjetë vjetësh president.
“Protestat në rrugë janë kundër mandatit tim. Po e plotësoj kërkesën tuaj”, tha Sarkisian të hënën, teksa njoftoi për dorëheqjen.
Udhëheqësi i protestave, Nikol Pashinian, i cilësoi demonstratat si “revolucioni i kadifenjtë armen”.
Në fjalimin e tij në Sheshin e Republikës në Jerevan, Pashinian tha se “revolucioni” nuk duhet të ndalet me dorëheqjen e Sarkisianit, por të vazhdojë me “fitoren përfundimtare”.
Ish-kryeministri Karen Karapetyan ka marrë përsipër ushtrimin e detyrës së kryeministrit.