Për shkak te festivalit “Sunny Hill” i cili do të mbahet në parkun e Gërmisë që nga sot deri më 12 gusht, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë bën të ditur se ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër dhe jashtë saj, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt, transmeton Ekonomia Online.
Meqenëse në këtë festival do të marrin pjesë këngëtarë me renome botërore, pritet që përveç qytetarëve të kryeqendrës, parkut të Gërmisë, t’i drejtohen edhe qytetarë nga vende të tjera.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”, thuhet në njoftim.
Në këtë kontekst, policia do të ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun Gërmia (Sofali, Tauk Bahqe), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të Prishtinë, KFOR-it, EULEX-it si dhe veturave të PK-së, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.
Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në:
Kryqëzimin e rrugëve “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”; (Kryqëzimi Velani)
Kryqëzimin e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr. Lec Gradica”; (Kryqëzimi te ish-rruga Bledi)
Kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.
Policia njofton se operacioni në fjalë ka filluar të implementohet që në orët e hershme të ditës së sotme, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten me këtë rast në qarkullimin rrugor, kërkon ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht u bën thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt parkut Gërmia me vetura.