Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Podujevës Naim Fetahu në ditën e dytë të fushatës zgjedhore tha se dështimit urbanistik 20 vjeçar në Llap, do t’i japin fund të dielën, raporton Ekonomia Online.
Ai më tej ka shtuar se do të ndërtojnë parkingje publike dhe do ta modernizojnë stacionin e autobusëve.
“Do të modernizojmë stacionin e autobusëve, do të krijojmë transport publik, me lehtësira të shumta për kategori të ndryshme të shoqërisë dhe do të ndërtojmë parkingje publike”.
Fetahu shtoi se në qeverisjen e tij do t’i japin fund uzurpimit të pronave publike, raporton EO.
“Do të funksionalizojmë dhe modernizojmë tregun. Do t’i japim fund uzurpimeve të pronave publike dhe private si dhe do të mirëmbajmë ndërtesat e vjetra të qytetit, të cilat janë lënë në mëshirën e fatit”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës mbahen këtë të diele.