Fetahu: Kushtetuesja i dha leksion Qeverisë që po propozon ligje jokushtetuese

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Avokati, Faton Fetahu duke komentuar kontestimin e Ligjeve të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, nga partitë opozitare dhe institucione tjera, tha se kjo e fundit i dha një leksion të jashtëzakonshëm Qeverisë e cila sipas tij, po propozon ligje jokushtetuese.

I ftuar në emisionin “Ditari”, në Tëvë 1, Fetahu madje tha se kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri po e shkel Kushtetutën e vendit, pasi sipas tij, tashmë rastet e shkeljeve kanë kaluar nivelin dyshifror.

“Jo rastësisht besoj se është dhënë afati gjashtë mujorë, sepse duhet bërë edhe planifikimet buxhetore në mënyrë që të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të drejtë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i cili në fakt fatkeqësisht ia dha një leksion të jashtëzakonshëm kësaj shumice parlamentare dhe kësaj qeverie mbi të gjitha, ecila propozon ligje jokushtetuese. E aq më keq e më tepër Kuvendi miraton të njëjtat pa pasur kurajën që të marrë për bazë vërejtjet dhe kur bëhet fjalë për çështje të profesionit, për çështje të së drejtës, Kushtetutës e kështu me radhë. Dhe ky nuk është rasti i parë që kjo Qeveri po e shkelë Kushtetutën, por tashmë aq shumë ka bërë shkelje saqë ato janë bërë të nivelit dyshifror. Kjo është fatkeqësi për vendin dhe për vet ata tek e fundit”, tha Fetahu.

Derisa shtoi se partia në pushtet po e trajton Kushtetutën e vendit me përbuzje e jo me respekt.

“Fatkeqësi për mungesën e edukimit kushtetues që i mungon kësaj klase politike, veçanërisht kësaj që është në pushtet, në mënyrë që ta trajtojë Kushtetutën me respekt. Por e sheh me përbuzje fatkeqësisht, e sheh me një motivacion shumë të ulët, shumë dashakeqës “, shtoi ai.

Ndryshe, dje Gjykata Kushtetues e Kosovës e ka pranuar ankesën e Avokatit të popullit, duke e rrëzuar kështu Ligjin e Pagave.

Sipas Kushtetueses, kjo gjykatë ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin e parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e Kushtetutës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Avokati i Popullit e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin e Pagave pas paraqitjes së afër 100 ankesa kundër këtij ligji.

Ligji i Pagave u miratua në Kuvendin e Kosovës më 5 shkurt të këtij viti me 63 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Partitë opozitare nuk e votuan këtë ligj pasi që sipas tyre vlera e koeficientit duhet të ishte më e lartë.

Qeveria kishte vendosur që vlera e koeficientit të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 për vitin 2024.

Të ngjashme