Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që zhvillohet këtë të diel në stadiumin MetLife në New Jersey, nuk do të jetë vetëm një duel futbolli.
FIFA ka përgatitur një spektakël të paprecedentë, të frymëzuar nga shfaqja e famshme e pushimit të finales së Super Bowl, duke premtuar një mbrëmje historike për tifozët në mbarë botën.
Para fillimit të ndeshjes do të zhvillohet ceremonia tradicionale e mbylljes, ndërsa për herë të parë në histori të një finaleje të Kupës së Botës, pushimi mes pjesëve do të shoqërohet me një koncert të madh.
Ceremonia e mbylljes do të nisë një orë e gjysmë para fillimit të ndeshjes dhe do të përmbledhë rrugëtimin 39-ditor të turneut, duke vënë në pah 48 kombëtaret pjesëmarrëse dhe 16 qytetet organizatore në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. FIFA premton një kombinim të muzikës, futbollit dhe kulturave të tre vendeve organizatore.
Ylli amerikan Post Malone do të jetë artisti kryesor i ceremonisë, ndërsa në skenë do t’i bashkohen edhe Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams.

Një nga surprizat e spektaklit do të jetë pjesëmarrja e streamerit të njohur iShowSpeed, i cili gjatë gjithë turneut ka qenë një nga figurat më të komentuara në tribuna dhe në rrjetet sociale.

Ndërkohë, aktori i famshëm i Hollywoodit, Tom Cruise, pritet të ketë një segment të veçantë gjatë ceremonisë. FIFA nuk ka zbuluar ende detaje, por mediat ndërkombëtare raportojnë se ai mund të realizojë një tjetër performancë spektakolare në stilin e filmave “Mission: Impossible”.
Pak para fillimit të ndeshjes, himni kombëtar i Shteteve të Bashkuara do të interpretohet nga Jennifer Hudson, fituese e çmimeve Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.
Një tjetër moment i veçantë do të jetë prezantimi ceremonial i trofeut të Kupës së Botës, i cili do të sillet në fushë brenda një valixheje luksoze të Louis Vuitton, e krijuar posaçërisht për këtë rast.
Pjesa më e shumëpritur e mbrëmjes do të vijë gjatë pushimit të finales. Për herë të parë në histori, FIFA ka organizuar një koncert të plotë në intervalin mes dy pjesëve të lojës.
Edhe pse fillimisht u raportua se pushimi do të zgjatej në 30 minuta, sipas gazetës spanjolle Marca, FIFA u ka bërë të ditur federatave të Spanjës dhe Argjentinës se pushimi do të zgjasë saktësisht 17 minuta. Prej tyre, 11 minuta do t’i kushtohen koncertit, ndërsa gjashtë minutat e mbetura do të përdoren për montimin dhe çmontimin e skenës, si dhe për mirëmbajtjen e fushës.
Në koncert do të performojnë katër nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore: Madonna, Shakira, grupi koreano-jugor BTS dhe Justin Bieber.
Programit do t’i bashkohet edhe dirigjenti venezuelian Gustavo Dudamel, drejtues i Filarmonisë së Nju Jorkut, duke kombinuar muzikën pop me interpretimet orkestrale.
Gjithashtu, kori i fëmijëve PS22 do të performojë së bashku me Coldplay, ndërsa në spektakël do të shfaqen edhe personazhe të njohur si Kermit the Frog dhe Miss Piggy nga “Sesame Street” dhe “The Muppet Show”, për të promovuar mesazhin e edukimit dhe unitetit.

Sipas FIFA-s dhe organizatës Global Citizen, finalja e Kupës së Botës 2026, e kombinuar me këtë spektakël muzikor, mund të ndiqet nga rreth dy miliardë shikues në mbarë botën, duke u shndërruar në një nga transmetimet muzikore më të ndjekura në histori.