Filantropia në Kosovë duhet të rregullohet me ligj

Prishtinë | 31 Mar 2017 | 10:46 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e Kryeministrit/Zyra për Qeverisje të Mirë bashkë me Forumin për Iniciativë Qytetare FIQ, kanë organizuar konferencën kombëtare për Filantropinë.

Ky aktivitet u tha se ka për qëllim shtjellimin e rolit të Filantropisë në rritjen e bashkëpunimit ndër-sektorial për qeverisje të mirë dhe të identifikojnë qasjet inovative në adresimin e çështjeve të zhvillimit të qëndrueshëm të filantropisë në Kosovë.

Po ashtu në këtë konferencë u konkludua se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj dhe për këtë u kërkua ndihma e secilit institucion përkatës, raporton Ekonomia Online.

Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit tha se është e nevojshme që në Kosovë të vihet një kornizë ligjore për filantropinë.

“Hulumtimet dhe statistikat nga terreni janë ata që vendosin nevojën për kornizën ligjore për filantropinë. Shumë pak qytetarë por edhe institucionet e kuptojnë konceptin e filantropisë”, ka thënë Hajredini.

Kurse drejtoresha ekzekutive e forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha ka thënë se qytetarët e vendit, por edhe vet institucionet nuk kanë informata për rëndësinë e Filantropisë në Kosovë.

“Çdo konkluzion rekomandim që del nga kjo konferencë do të ndihmonte për një dokument ligjor për filantropinë. Edhe pse legjislacioni nuk e pengon filantropinë, por legjislacioni duhet të jetë multisektorialë në mënyrë që zgjidhjet të jenë afatgjate dhe të qëndrueshëm”, ka thënë  Berisha.

Kontribut në këtë aspekt u shpreh e gatshme të japë edhe Oda Ekonomie Amerikane në Kosovë.

Arian Zeka, drejtor i saj tha se OEAK ka shpreh gatishmërinë për të kontribuar për hartimin e ligjit për filantropinë.

FIQ është fondacioni vendor që udhëheq promovimin e Filantropisë dhe aktivizimit qytetarë në Kosovë.

Filantrop është personi i cili i do njerëzit dhe kujdeset për ta, për t’iu mundësuar një jetë më të lumtur.

Në SHBA (dhe në disa vende kapitaliste) shpesh themelohen shoqata për t’iu ndihmuar studentëve të talentuar të cilët nuk kanë mjete financiare për t’u shkolluar.

Të ngjashme