Filloi ushtrimi fushor i FSK-së ,,Shqiponja 6”

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 15:33 | Nga

Në konferencën për medie që u mbajt në kazermën ,,Adem Jashari “ në Prishtinë, për ushtrimin fushor “Shqiponja 6”,  që filloi sot dhe zgjatë deri me 11 maj, para mediave  folën drejtori i ushtrimit fushor “Shqiponja 6” gjeneral brigade Naim Haziri, Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Kosovës Shpend Tërdeva dhe përfaqësuesi nga Garda Kombëtare e Ajovës së ShBA-ve  koloneli Justin Wagner.

Konferenca kishte për qëllim njoftimin i qytetarëve dhe mediave për aktivitetet e përbashkëta  me partnerët. Në këto aktivitete njësitë e  Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zhvillojnë operacione taktike në terren (Prishtinë, Obiliq, Podujevë, Gjilan, Novobërd) me kapacitetet ekzistuese  dhe testimin e tyre si dhe bashkëpunimin  dhe bashkëveprimin  me partnerët  dhe agjencitë   vendore të sigurisë dhe emergjencave.

Në fjalën e tij, drejtori i ushtrimit  fushor gjeneral brigade Naim Haziri  tha se “është fat i madh që krahas agjencive të sigurisë dhe emergjencave të Republikës së Kosovës në gjithë procesin e planifikimit të këtij ushtrimi kanë qenë prezentë edhe vendet partnere. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të realizohet ushtrim fushor në nivel të FSK-së me pjesëmarrje  të partnerëve, qofshin ata vendorë dhe ndërkombëtarë si dhe të vlerësohen  kapacitete reaguese në situata komplekse  emergjente dhe të sigurisë. Për këtë ushtrim është dizajnuar situata në funksion të asaj që të gjitha agjencive pjesëmarrëse t’iu krijohet mundësia t’i testojnë kapacitete e tyre reaguese  në kuadër të misionit të tyre kushtetues  të Republikës së Kosovës dhe mbështetja e partnerëve në funksion të trupave në terren”.

Në emër të  Agjencive të Republikës së Kosovës  Shpend Tërdeva  pasi përgëzoi FSK-në për  organizimin e ushtrimit fushor “Shqiponja’6”, të parin e këtij lloji  më karakter ndërkombëtar, tha se  “ky ushtrim  është rast i mirë për demonstrimin e aftësive profesionale në nivel vendi dhe atij ndërkombëtar, për  të gjithë pjesëmarrësit dhe përfundimisht do të jetë një rast i jashtëzakonshëm për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta, në raste të  nevojave operacionale. Organet mbështetëse të Këshillit të Sigurisë së Kosovës vazhdimisht kanë përcjellë përgatitjen e këtij ushtrimi, sipas fazave dhe tani për së afërmi do t’i vëzhgojnë të gjitha aktivitete  operacionale”.

Përfaqësuesi i vendeve partnere pjesëmarrëse në këtë ushtrim koloneli Justin Wagner nga  Ajova-SHBA tha se “ky vit është vit historik dhe i veçantë për këtë ushtrim dhe është hera e parë që Forca e Sigurisë së Kosovës  është mikpritëse e një ushtrim fushor të kësaj përmase së bashku me  ekipet e specializuara ushtarake të  8 shteteve partnere. Ne kemi detyrë aktive si Gardë Nacionale të përfaqësojmë partnerët ndërkombëtarë gjatë  këtij ushtrimi. Ata do të shërbejnë në detyrën e Policisë Ushtarake, personelit mjekësor, inxhinierisë,  ekipit të bashkëpunimit civilo–ushtarak,  njësive motoristike, çështjeve publike e po ashtu edhe  vëzhgues/kontrollues dhe vlerësues të ushtrimit. Kjo  vërtetë është  një mundësi e veçantë  trajnimi për këtë grup nga grupi  ndërkombëtar, për të  punuar së bashku  me partnerët tanë të FSK-së  dhe po ashtu edhe me pjesëmarrësit tjerë nga agjencitë institucionale të Kosovës”.

Të pranishëm në konferencën për  media ishin edhe përfaqësues nga Shqipëria, Ajova, Mbretëria e Bashkuar, Ushtria Amerikane  për Evropë, Turqia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi KFOR-i, përfaqësuesit e agjencive të sigurisë dhe emergjencave të Kosovës, Këshilli i Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe  Kryqi i Kuq i Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme